Jurgen Klopp: Loja kundër Leeds Unitedit më e mira e Liverpoolit këtë sezon
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, beson se skuadra e tij e bëri paraqitjen më të mirë të këtij sezoni në fitoren e pamëshirshme kundër një Leeds Unitedit në vështirësi të hënën në Premierligë.
Të kuqtë i shënuan gjashtë gola nga shtatë tentime në portë, prej të cilave nga dy Mohamed Salah dhe Diogo Jota.
Skuadra e Kloppit e mposhti Bournemouthin 9:0 dhe Manchester Unitedin 7:0 këtë sezon, por gjermani beson se paraqitja në Elland Road ishte më e mira e skuadrës së tij.
“Jam shumë i lumtur për lojën”, tha Klopp për Sky Sports.
“Mendoj se e detyruam kundërshtarin të bëjë shumë gabime, shënuam gola sensacionalë, dhe sa i përket presionit ndaj kundërshtarit ishte paraqitja më e mirë, dua të them, për disa dekada. Pjesa ime e parapëlqyer ishte në minutën e 92-të, kur katër lojtarë e ndoqën një djalosh të gjorë të Leedsit për t’ia marrë topin”, shtoi ai.
“Mendoj se kjo është ndeshja më e mirë që e kemi luajtur këtë sezon, në aspekte të ndryshme”, nënvizoi ai.
Ky ka qenë një sezon i vështirë për skuadrën e Kloppit, e dëshmuar nga fakti se, pavarësisht fitores bindëse të hënën, ajo është në vendin e tetë në tabelën e Premierligës.
Liverpooli është në kërkim të futbollit evropian sezonin e ardhshëm, me vendin e shtatë që është i mundshëm për një vend në Ligën e Konferencës, por shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve janë të zbehta.
