Jurgen Klopp ka shumë pak shpresa për top katërshe në Premierligë
Shanset e Liverpoolit për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm nuk janë reale, pavarësisht fitores së pestë radhazi, e ka pranuar trajneri Jurgen Klopp.
Liverpooli e mundi 1:0 Fulhamin falë një goli të Mohamed Salahut nga penalltia në Anfield të mërkurën dhe ende ka mundësi për top katërshe, por gjërat nuk janë vetëm në dorën e tij.
Të kuqtë i kanë edhe katër ndeshje të mbetura dhe tani për tani është në vendin e pestë, katër pikë mbrapa Manchester United, i cili i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
I pyetur pas ndeshjes për shanset e Liverpoolit për top katërshe, Klopp tha: “Nuk ndihem kështu, por kjo nuk do të thotë asgjë. Bëhet fjalë për probabilitetin. Nëse Newcastle dhe Manchester United fitojnë të gjitha ndeshjet e tyre, ne nuk kemi asnjë shans. Nëse Brighton fiton të gjitha ndeshjet e tyre, ata janë përpara nesh. Kjo është situata. Ne vetëm duhet të fitojmë ndeshjet tona dhe të shohim se ku do të na çojë.”
Ai shtoi: “Për momentin jam i kënaqur me drejtimin tonë. Thjesht duhet të vazhdojmë dhe në fund do të shikojmë tabelën dhe do të marrim atë që mund të marrim.”
Fulham ishte afër golit të barazimit por portieri Alisson bëri një pritje të jashtëzakonshme nga Carlos Vinicius dhe ndeshja përfundoi 1:0.
Megjithatë kapiteni i Fulham Tom Cairney tha se gjyqtari Stuart Attwell e pranoi se goli i fitores së Liverpool nuk ishte penallti.
“Gjyqtari mori një vendim, mendova se kishte parë kontakt. E pyeta në fushë ‘ju lutem sigurohuni që ta kontrollojnë’, ai tha se u kontrollua dhe në pjesën e dytë njërit prej lojtarëve i tha se nuk ishte penallti, kështu që është zhgënjyese”, tha Cairney. /Orselina Lazraj/
