Joshua i ofron rimeç bashkatdhetarit Whyte, e pret Wilderin në Arabi
Promotori Eddie Hearn ka thënë se i ka bërë ofertë britanikut Dillian Whyte për një rimeç me bashkëvendësin e vet Anthony Joshua këtë verë.
Të shtunën Joshua – i cili fitoi ndaj Whyte më 2015 – shkroi në rrjetet sociale se nuk ishte i vetëdijshëm rreth bisedimeve për një rimeç.
Por Hearn thotë se të dy boksierët dëshirojnë të luftojnë dhe se Joshua është po ashtu afër marrëveshjes për një luftë me Deontay Wilderin në Arabinë Saudite në dhjetor.
“Plani jonë, të cilin e kemi nënvizuar, është që AJ të luftojë më 12 gusht dhe në dhjetor përsëri kundër Deontay”, tha Hearn.
Duke folur për BBC-në të hënën, Hearn shtoi: “Ne i bëmë ofertë Dillian Whyte gjatë fundjavës. Jemi duke pritur përgjigjen e tij dhe do të flasim edhe sot”.
“Dillian nuk është një kundërshtar për Joshuan, por një luftë e madhe mes dy boksierëve të klasit botëror në kategorinë e rëndë dhe dy emrave të mëdhenj britanikë”.
“Bisedimet do të jenë të vështira por AJ dhe Whyte e duan këtë përballje”, theksoi ai.

Joshua – Wilder në dhjetor
Raportohet se Arabia Saudite dëshiron të jetë nikoqire e meçeve Joshua - Wilder dhe Oleksandr Usyk - Tyson Fury në dhjetor, me mundësi në natën e njëjtë.
Joshua ka luftuar dy herë në Arabinë Saudite. Ai e mundi Andy Ruizin për t’i rifituar titujt e botës më 2019, por u mposht nga ukrainasi Usyk në gusht 2022 për t’i humbur ata përsëri.
Amerikani Wilder cilësohet si njëri prej boksierëve me grushtin më të fuqishëm në historinë e kategorisë së rënë, me 42 nokaute nga 43 fitore.
