Jose Mourinho: Vendosa përgjues për t’u mbrojtur nga gjyqtari më i keq që e kam takuar
Trajneri i Romës, Jose Mourinho, thotë se vendosi nën rroba mikrofon përgjues për ta mbrojtur veten kundër, siç tha, gjyqtarit më të keq që e kishte takuar në jetë, gjatë barazimit të skuadrës së tij 1:1 me Monzën të mërkurën.
Mourinho e kritikoi gjyqtarin Daniele Chiffi, pasi ai e përjashtoi nga loja Mehmet Zeki Celikun e Romës në minutën e 96-të.
Trajneri portugez i ka marrë tre kartonë të kuq këtë sezon për shkak të fjalosjeve me gjyqtarët, përfshirë një kundër Chiffit në shtator.
“Shkova në ndeshje me një mikrofon. Incizova gjithçka”, tha Mourinho.
“Nga çasti që u largova nga zhveshtorja e deri në çastin kur u ktheva – r mbrojta veten. Ai (Cheffi) është më i keqi. Teknikisht është i tmerrshëm. Zero dhembshuri. Zero komunikim. Zero vëmendje”.

“Ai i dha kartonin e dytë një lojtari i cili rrëshqiti në minutën e 96-të... e ndala punën rreth 20 a 30 minuta më herët sepse e dija se do të më jepte karton të kuq për çkado. Nuk ia dhashë mundësinë, vendosa jo, mjaft ishte”, shtoi ai.
Stephan El Shaarawy e kaloi Romën në epërsi, para se Luca Caldirola të shënonte për Monzën dhe ky barazim e lë Romën në vendin e shtatë në Serie A, jashtë zonës për kualifikim në garat evropiane.
“Më besoni, kam pasur të bëj me shumë gjyqtarë të këqij. Zakonisht, kur flas për gjyqtarët, është sepse ata kanë ndikim të drejtpërdrejt në lojë”, nënvizoi ai.