“Jo s’është e vërtetë”, Prishtina dhe Zekirija Ramadani mohojnë takimin për ‘ribashkim’ - NACIONALE

“Jo s’është e vërtetë”, Prishtina dhe Zekirija Ramadani mohojnë takimin për ‘ribashkim’

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Klubi futbollistik FC Prishtina dhe trajneri Zekirija Ramadani kanë mohuar spekulimet e fundit për një ‘ribashkim’, gjatë një bisede për Gazetën Nacionale.

Ishte “Kanal 10”, që raportoi ditën e enjte se largimi i Ramadanit nga Sport Club Gjilani është i pashmangshëm, derisa është takuar me Prishtinën dhe Ferizajn.

Lidhur me këtë, Nacionale ka kontaktuar trajnerin maqedonas, i cili theksoi se nuk ka asgjë të vërtetë.

“Jo, nuk është e vërtetë. Unë me Prishtinën jam takuar mbi 10 herë, pasi i kam miq, por asnjëherë nuk kam folur për punë. Thjesht jemi takuar për kafe, shkaku i miqësisë”.

Ai mohoi edhe bisedimet me Ferizajin, si dhe bëri të ditur se nuk është në dijeni që Drita ka vendosur ta ndërprejë bashkëpunimin me Ardian Nuhiun (momentalisht ende s’është zyrtare).

“Ndërsa, sa për Ferizajin as nuk e di se kush është në krye. Për Dritën prej teje po dëgjoj për herë të parë, s’qenkam në dijeni që paskan vendos me ndërpre bashkëpunimin me Ardianin”.

“Momentalisht unë jam trajner i Gjilanit dhe do të vazhdoj kështu”, deklaroi ai.

Nga Prishtina gjithashtu mohojnë këto raportime

Përpos Ramadanit, edhe nga klubi i FC Prishtinës, kanë mohuar këto spekulime.

Drejtori Artan Osmani për Gazetën Nacionale theksoi se nuk ka ndodhur asnjë takim dhe që janë të lumtur me trajnerin Ismet Munishi.

“Jo jo, s’është aspak e vërtetë. Ne nuk kemi pasur asnjë takim me trajnerin (Zekirija Ramadani)”.

“Ne momentalisht e kemi trajnerin (Ismet Munishi) dhe do të vazhdojmë me të. Nuk ka bisedime për ndonjë rikthim të Ramadanit. Ai ka qenë këtu më herët, kështu që jemi mirë”, u shpreh Osmani.

Ramadani gjatë afatit kalimtar veror mori drejtimin e Gjilanit, sidoqoftë gjërat nuk iu kanë ecur mbarë pasi Florim Zuka la klubin pa kryesi.

Shkaku i gjendjes ekonomike pritet që të ketë edhe largime të futbollistëve, ku është raportuar se Përparim Islami dhe Arbnor Ramadani do t’i bashkohen Llapit.

Lajme të ngjashme