Java e 30-të në Superligën e Kosovës ngre siparin me tri takime - NACIONALE

Java e 30-të në Superligën e Kosovës ngre siparin me tri takime

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deri në përfundim të kampionatit kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t'u zhvilluar në Superligën e Kosovës. Java e 30-të ngre siparin me tri përballje që janë në program sot, ku ekipet në pjesën e sipërme të tabelës janë favorite për t'i arkëtuar pikët e plota ndaj skuadrave që po luftojnë për mbijetesë. Bëhet fjalë për ndeshjet Drita - Malisheva, Feronikeli - Llapi dhe Ulpiana - Ballkani.

Deri më tani, Ballkani ka fituar një siguri të konsoliduar udhëhequr në renditjen tabelare në pozitën e parë, pasi ka çuar në 8 pikë dallimin prej ndjekësit kryesor, Gjilanit. Një epërsi që u mundëson atyre të jenë për pothuajse tri ndeshje në përparësi ndaj gjilanasve, e që është gati ekuivalent i gjysmës së ndeshjeve që kanë mbetur për t'u luajtur deri në përfundim të kampionatit.

Të gjitha objektivat tjera, përfshirë këtu vendin e tretë, janë të qarta tani për tani, me Dritën që ka një kapital prej 5 pikësh ndaj Llapit.

Gara më e hapur është për betejën e mbijetesës, pas fitores të javës së kaluar të Dukagjinit në Skenderaj, ku tani hendeku është reduktuar në vetëm 2 pikë.

Ndeshjet e sotme që janë në program nuk pritet që do ta ndryshojnë këtë panoramë, pasi të paktën në letër skuadrat e mëdha janë në përparësi ndaj atyre që janë të fundosura në fundin e tabelës për të dalur me fitore.

Ulpiana - Ballkani

Për ta kuajtur fitoren e fundit të vendasve, atëherë duhet të kthehemi në kohë dy muaj më parë, kur këta të fundit mposhtnin Drenicën në stadiumin e tyre. Prej asaj kohe, kanë një bilanc katastrofik me humbje të njëpasnjëshme dhe një barazim.

Marrë parasysh edhe në krizën e përgjithshme në të cilën po kalojnë, nuk pritet që lideri i kampionatit, Ballkani, do ta ketë një ndeshje shumë të vështirë. Andaj, llogaritet edhe favorit absolut për të marrë fitore edhe sot, që do ta afronte në rrugën drejt triumfit në Superligën e Kosovës për t'u shpallur kampion.

Ulpianasit nëse marrin edhe sot një humbje, do të ishte thuajse fatale, sepse gjasat do t'u minimizoheshin për mbijetesë, duke ditur faktin që janë 9 pikë mbrapa Dukagjinit.

Drita - Malisheva

Pasi siguroi finalen e Kupës së Kosovës duke mposhtur Ramiz Sadikun, Drita i ka vënë qëllim vetes që ta blindojë sa më parë mundësinë për t'i kualifikuar në garat e kupave evropiane për klube. Për ta çuar deri në fund këtë synim, i ka dy karta:

1) në kampionat të zë vendin e tretë ose pse jo të dytin;
2) ta fitojë medoemos e Kupën e Kosovës.

Sot, ndeshja ndaj Malishevës është e rëndësishme në këtë aspekt, për ta ruajtur distancën me skuadrën llapjane në renditjen tabelare, me të cilën do të përballet edhe në aktin final të Kupës së Kosovës.

Malisheva udhëton në Gjilan me koshiencën e plotë që do ta ketë një ndeshje të vështirë. Bilanci i Dritës ndaj tyre në tri ndeshjet direkte të sivjeme është i pastër, me tri fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara. Malisheva e Arsim Thaqit për momentin është shkëputur në 4 pikë ndaj Dukagjinit, i cili për momentin zë vendin e 10-të, që të shpie në barazh.

Feronikeli - Llapi

Fatkeqësisht, që prej momentit kur ka degraduar kriza në klubin nga Drenasi, dikur ish-kampion i Kosovës në tri edicione të dekadës paraprake, ndeshjet ndaj tyre ngjajnë më shumë si një mundësi e mirë për skuadrat kundërshtare për t'i marrë të kryera fitoret dhe për ta përmirësuar golaverazhin sesa që vihet në diskutim rezultati final.

Krejt kjo pasi Feronikeli po zbret në fushë me forca diametralisht disproporcionale, ku ata po detyrohen të luajnë me juniorët e tyre, fare të rinj në moshë dhe ende jo të përgatitur për këtë nivel garash.

Prandaj, për llapjanët sot pritet të jetë një fitore rutinore, ku ata do të shpresonin në një hap fals të Dritës, i cili do ta rihapte garën për vendin e tretë, sa për t'i lënë skuadrës së Tahir Batatinës rastin e dyfishtë për t'i siguruar kualifikimet evropiane, në rast se në Kupë nuk ia dalin të ngadhënjejnë me triumf.

Lajme të ngjashme