Java e 28-të e Superligës së Kosovës hap siparin me takimet Dukagjini - Ballkani dhe Gjilani - Drenica - NACIONALE

Java e 28-të e Superligës së Kosovës hap siparin me takimet Dukagjini - Ballkani dhe Gjilani - Drenica

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani me Ilir Dajën ka ndryshuar formë dhe është shumë afër ta sigurojë trofeun e shumëkërkuar, atë të Superligës së Kosovës. Veçmas pas tre pikëve të fituara në tavolinë ndaj Gjilanit si mysafir, është bërë një hap gjigant përpara. Sot, therandasit udhëtojnë në Klinë për ta vazhduar këtë ecuri të mirë. Gjilani në anën tjetër dëshiron t'i harrojë sa më parë ngjarjet e javës së kaluar, me huliganizmin që u shfaq, i cili la një njollë të ndyrë sfidës derbi ndaj Ballkanit, për t'iu rikthyer kësisoj pikëve ku janë nikoqir të Drenicës.

Duket që asnjëherë vetëbesim më të madh nuk ka pasur në kampin e skuadrës nga Theranda për ta fituar titullin kampion sesa këtë vit. Të shtyrë edhe nga rezultatet pozitive që kanë arritur t'i korrin javëve të fundit, ata e shohin veten në rrugën e duhur për ta realizuar objektivin e tyre. Sot, me fillim në ora 14:00 do të ndeshen ndaj Dukagjinit në Klinë, në një sfidë që i sheh ata favoritë, por përballjet direkte mes tyre në këtë edicion kanë ditur të prodhojnë rezultate befasuese shpeshherë. Gjatë herës së fundit që janë përballur në stadiumin '18 qershori', ndeshja pati përfunduar baras me rezultat 0 me 0. Pra, ekipi dukagjinas i udhëhequr nga Armend Dallku mund t'ia prishë planet ekipit lider në Superligën e Kosovës, Ballkanit. Për më tepër, Dukagjini nuk hyn me flamurin e bardhë, pasi edhe këtyre të fundit u duhen pikët medoemos, duke qenë se ndodhen në zonën e barazhit dhe nuk dëshirojnë ta përsërisin një ndeshje të tillë [të barazhit], meqë viteve të fundit disa herë janë ballafaquar në atë situatë. Distanca që i ndan ata me Malishevën që renditet para tyre, në pozitën e 7-të tabelare, është prej 4 pikëve.

Gjilani si ndjekësi kryesor i Ballkanit në luftën për kreun e tabelës, ndonëse i penalizuar nga fakti që humbi në ndeshjen direkte pas incidenteve huliganeske të krijuara pak çaste para përfundimit të ndeshjes, mbetet akoma në garë për titull deri kur matematika ua mundëson një gjë të tillë. Tani skuadra e Ismet Munishit e gjen veten 8 pikë mbrapa Ballkanit. Ajo që vihet re më së shumti te rendimenti i gjilanasve është mungesa e fitores prej 1 muajsh. Hera e fundit që gjilanasit siguronin tre pikë ishte në fitoren si vendas 2:0 ndaj Ulpianës. Prej atëherë, vetëm zhgënjime të njëpasnjëshme, të cilat mundësuan një rreshqitje lineare të pikëve, deri në krijimin e kësaj distance pikësh nga Ballkani.

Gjithsesi, sot Ismet Munishi ka një mundësi të mirë t'i rikthehet fitores pas një jave të ndërlikuar që e kaluan. Skuadra e Gjilanit në këtë pasditë luan ndaj Drenicës të Tahir Lushtakut. Nëse në 'Bajram Aliu' nuk ia kanë dalur në asnjëren ndeshje të triumfojnë vendasit, të paktën si nikoqir kanë arritur t'i marrin tre pikët, kur fituan me rezultat 2:1 në përballjen e fundit direkte. Sot, ata do të mundohen ta përsërisin të njëjtin sukses, por duhet t'i bëjnë mirë llogaritë, pasi Drenica është konsoliduar për dallim nga pjesa e parë e kampionatit, ku tani ka një qendrueshmëri më të mirë financiare dhe një organizim më të mirëfilltë në tërësi.

Thënë ndryshe, kjo do të jetë edhe përballja mes dy golashënuesve më të mirë në ligë, me Kreshnik Ukën që i prin kësaj liste me 18 gola dhe Gerard Progni që e pason me 16 gola.

Përndryshe Gjilani përmes një kumtese publike ka bërë të ditur që ndeshja do të luhet në stadiumin ndihmës me bari sintetik, për shkak të vendimit të fundit nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili ua pamundësojë gjilanasve që ta luajnë ndeshjen me praninë e shikuesve.

Lajme të ngjashme