Java e 26-të e Superligës ngre siparin me tri sfida që do të sqarojnë garën për titull dhe mbijetesë - NACIONALE

Java e 26-të e Superligës ngre siparin me tri sfida që do të sqarojnë garën për titull dhe mbijetesë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Java e 26-të e Superligës së Kosovës nis sot, me tri ndeshje në program, ku Gjilani kërkon të mos humbet terren në garën për titull, Ulpiana synon t'i kthehet fitores dhe ta rrisë presionin ndaj Dukagjinit, me këtë të fundit që e pret ndeshja e ndërlikuar në Zahir Pajaziti - ku dy skuadrat luajnë për ambicie të ndryshme.


Deri në përfundim të kampionatin janë edhe 11 ndeshje. Për dikë mund të cilësohen edhe po kaq finale, marrë parasysh ambiciet që ua kanë vendosur vetes. Shumëçka do të sqarohet sot, qoftë në betejën për pozitat e sipërme në renditjen tabelare që shpijnë në kualifikimin drejt fazës parakualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, apo edhe për luftën për ta shmangur rënien nga liga.

Kësisoj, Gjilani i trajnerit Ismet Munishi, i cili përballet sot pasdite ndaj Malishevës në udhëtim, do të kërkojë që t'i kthehet fitores, që i mungon në dy javët e fundit. Me fjalë të tjera, kjo ndeshje është ndër të rrallat ku ballafaqohen dy trajnerë që nuk kanë lëvizur nga stolet respektive, duke u shpëtuar shkarkimeve të parakoshme. Për Gjilanin do të jetë imperativ fitorja, në mënyrë që ta ndjekë nga afër kreun e renditjes tabelare, gjegjësisht Ballkanin. Me një fitore eventuale do të barazohej me pikë me ekipin therandas të Ballkanit, në pritje që këta të fundit ta zhvillojnë ndeshjen e tyre të nesërme si nikoqir ndaj Drenicës. Gjithashtu, trajneri Ismet Munishi duhet t'i bëjë llogaritë mirë, pasi sot do të ketë punë me një kundërshtar të papërshtatshëm, meqë i njëjti ka arritur ta neutralizojë gjatë ndeshjes së parë që u luajt në Malishevë në fazën vjeshtore të kampionatit, duke barazuar 1 me 1.

Në takimin tjetër, Llapi ka një rast të mirë që sot ta rrëmbejë përkohësisht për herë të parë pozitën e tretë të klasifikimit gjatë këtij edicioni, pasi të njëjtin e filloi me shumë probleme e shumë hapa falsë, deri sa u këndell pak para fundit të pjesës vjeshtore të kampionatit. Për ta bërë një gjë të tillë, trajneri Tahir Batatina duhet ta mposhtë Dukagjinin e Armend Dallkut.

Trajneri i Llapit një ditë para zhvillimit të këtij takimi, përmes faqes zyrtare të klubit, u shpreh si vijon: "Nesër nuk ka arsye për mungesë, nesër dua mbështetje nga i gjithë Llapi e Gollaku. Asgjë nuk ka përfunduar në kampionat. Jemi të qetë dhe me ju do t'ia dalim".

Llapi që vjen i freskët nga kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës duke e eliminuar Gjilanin, gjatë ndeshjes së sotme do të mundohet ta ruajë hapin me pozitat që sigurojnë plasmanin në Evropë. Në anën tjetër, ekipi mysafir duhet të bëjë përpjekje që të dalë me pikë sot nga stadiumi në verilindje të Kosovës, për të mos lejuar një distancë pikësh me skuadrat që kryesojnë para saj renditjen tabelare, me theks të vëçantë këtu Malisheva, Drenica dhe Prishtina. Distanca me këto të fundit është 6 pikë.

Për fund, Feronikeli që po i qaset vetëm formalisht këtij kampionati, pasi po luan me juniorë, sot pasdite do të përballet me Ulpianën.

Kjo e fundit e humbi nga dora kontrollin e ndeshjes ndaj Prishtinës javën e kaluar, për ta pësuar edhe humbjen e radhës. Andaj, ekipi mysafir pritet që të mos ketë punë të vështirë dhe duke shpresuar në një rezultat të favorshëm për ta nga ndeshja në Llap, që do t'i mundësonte ta barazonin me pikë Dukagjinin, për ta rihapur edhe më shumë garën për mbijetesë. Fitore që Ulpianës në kampionat i mungon nga fundi i muajit shkurt, e që ndoshta për ta do të nënkuptonte rifitim oksigjeni në prag të marshit final drejt fundit të kampionatit.


Për rikapitullim, këto janë ndeshjet e sotme:

13:00h| Malisheva - Dukagjini
13:00h| Llapi - Dukagjini
13:00h| Feronikeli - Ulpiana

Lajme të ngjashme