Java e 14-të e Superligës së Kosovës nis me dy ndeshje interesante
Sot, janë në program dy ndeshje interesante në Superligën e Kosovës. Ferizaj do ta kërkojë fitoren e parë me trajnerin kroat, Andrej Panadic. Ndërsa në ndeshjen tjetër dy skuadra që aplikojnë futboll sulmues do ndeshen njëra-ndaj tjetrës: Malisheva – Trepça ’89.
Java e 14-të në kampionatin vendor nis sot. Ekipet që do të zbresin në fushë kryesisht ndodhën në pjesën e fundit të renditjes tabelore.
Prandaj, ndeshjet që sot janë në program mund të jenë përcaktuese për pjesën e mbetur të fazës vjeshtore të kampionatit, e cila mbaron në gjysmën e muajit të ardhshëm, ngase edhe Superliga e Kosovës, njësoj siç do bëjnë kampionatet tjera nëpër botë, do të pauzojë gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.
Koncentrimi më i madh është te Ferizaj, skuadër që po përcjellët me një mal kontestimesh përbrenda qytetit dhe që nuk di për fitore në mbi një muaj e gjysmë.
Ferizaj kërkon t’ia bëjë “sefte”, Drenica ta ruajë momentumin e mirë
Ardhja e trajnerit të ri, Andrej Panadic, nuk ka sjellur ndonjë këndellje në ekip pas dorëheqjes që ofroi Arbnor Morina javë më parë.
Trajneri kroat ka qenë në drejtim të skuadrës në tre ndeshjet e fundit. Deri më tani gëzon një bilanc katastrofik, edhe pse jo krejtësisht për faj ekskluzivisht të tij, meqë problemet te Ferizaj janë të trashëguara.
Dhjetë gola të pranuar dhe vetëm një i shënuar. Një mbrojtje që çalon në çdo centimetër dhe një sulm që ka humbur që moti efikasitetin apo shkëlqimin e vet. Këto janë disa prej të metave të ekipit të Ferizajt gjatë periudhës sa drejtohet nga Panadic.

As kësaj radhe s’pritet të jetë një ndeshje e lehtë për Ferizajn, marrë parasysh që Drenica shumë më lehtë është shprehur në fushë si mysafire gjatë këtij sezonit sesa që ka bërë në “Bajram Aliu”.
Drenica me anë të kundërsulmeve ka ditur të jetë e rrezikshme, duke gjetur lehtë golin. Për ironi të fatit vetëm në dy ndeshje nga shtatori e deri më tani ekipi nga Skenderaj s’ia ka dalë të shënojë: pikërisht ndaj Ferizajt në ndeshjen e hapur që përfundonte 0:0 në “Bajram Aliu” më 4 shtator, si dhe në ndeshjen e fundit që e zhvilloi si vendës ndaj Malishevës, ku po ashtu mbaroi me portat e paprekura.
Kështu, Ferizaj është e zhtytur në pozitën e fundit tabelore me 8 pikë, kurse Drenica renditet në mesin e tabelës me 15 pikë.

Në Malishevë luhet për t’u ringritur në tabelë
Gjithsesi, në ndeshjen tjetër që do të zhvillohet në Malishevë pritet të ketë një ndeshje të hapur, aq më shumë nëse iu referohemi duelit të parë të zhvilluar në “Riza Lushta” që përfundoi 2:3 në të mirë të ekipit jugperëndimor.
Malisheva në dy javët e fundit ka treguar shenja të përmirësimit, duke arkëtuar katër pikë. Për më shumë, ajo ka bindur edhe me lojë.
Krejtësisht ndryshe nga seç mund të thuhet për Trepçën ’89. “Minatorët” kanë harruar shijën e fitores në katër javët e fundit. Vetëm dy pikë në katër ndeshje kanë bërë që ekipi i drejtuar nga Shpëtimi Idrizi të rrëshqasë thuajse në pozitën e fundit tabelore.

Malisheva në anën tjetër do të mundohet që ta përmirësojë një statistikë të tmerrshme siç është ajo e ndeshjeve të zhvilluara në shtëpi, ku nga gjashtë paraqitje ka arkëtuar vetëm 4 pikë.
Thënë ndryshe është ekipi që përformon më së keqi në terrenin e vet. Numrin e njëjtë të pikëve e ka edhe Trepça ’89 nëse tabela shikohet me një prizmë tjetër, atë të ndeshjeve të zhvilluara jashtë fushës. Vetëm Ferizaj gëzon një formë më të keqe, ku në shtatë ndeshje ka arritur të grumbullojë vetëm dy pikë jashtë fushës së vet.
Andaj, për të dy skuadrat do të jetë sfidë shumë e rëndësishme edhe sa i përket gjendjes tabelore në të cilën janë. Malisheva renditet në pozitën e 7-të me 12 pikë, kurse Trepça ’89 është në pozitën e parafundit me 11 pikë.

