Ja si votuan Kosova e Shqipëria për çmimin e më të mirit në FIFA
Ylli i Real Madridit Vinicius Junior e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë në botë, ndërsa rol në këto vota kishin edhe Kosova e Shqipëria.
Më saktësisht, trajneri, kapiteni dhe një gazetar nga të dy shtetet kishin të drejtë vote.
Nga Kosova, votuan përzgjedhësi Franco Foda, kapiteni Amir Rrahmani si dhe gazetari i “Express” Valon Konushevci.
Tekniku gjerman pikët kryesore ia dha Rodrit, ndjekur nga Vinicuis Jr e Lamine Yamal kurse kapiteni Rrahmani votoi: Vinicius, Mbappe, Rodri.
Ndërkohë, gazetari Konushevci të parin e votoi Vinicius Jr, pastaj Rodrin dhe si pozitë e tretë Lamine Yamal.
Në anën tjetër, te Shqipëria përzgjedhësi Sylvinho, ashtu siç pritej së pari e vlerësoi bashkëkombësin Vinicius, pastaj Rodrin dhe në vendin e tretë Jude Bellingham.
Kapiteni i Shqipërisë Berat Gjimshiti befasoi të gjithë duke votuar fillimisht Toni Kroos, ndjekur nga Vinicius Jr e Rodri.
Ndërkohë, befasi ishte edhe nga gazetari i Shqipërisë Endi Tufa, që nuk i dha asnjë votë kandidatëve kryesorë Vini Jr e Rodri. Ai votoi për Jude Bellingham, Toni Kroos dhe Dani Carvajal.