Italia mjaftohet me vendin e tretë në finalet e Ligës së Kombeve, shënon fitore ‘të vështirë’ ndaj Holandës
Kombëtarja e Italisë ka arritur të paktën ta marrë vendin e tretë në finalet e Ligës së Kombeve, duke mposhtur Holandën para pak çasteve me rezultat 3:2.
Kampionët e Evropës në fuqi humbën mundësinë për të luftuar për vendin e parë, kur të enjten u mposhtën nga Spanja.
Kjo ndeshje nisi shumë mirë për italianët, kur Federico Dimarco shënoi golin hapës të takimit në minutën e gjashtë, me anë të një goditje shumë të bukur.
14 minuta më vonë ishte Davide Frattesi ai që dyfishoi epërsinë, saktësisht në minutën e 20-të, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë.
Holanda bëri katër ndryshime në pjesën e dytë, para se të arrinte të shënonte golin e parë në këtë takim.
Ishte Bergwijn që hyri në lojë në minutën e 46-të, ai që shënoi për të ngushtuar rezultatin në 2:1 në minutën e 68-të.
Por reagimi i Italisë ishte i shpejtë, me Federico Chiesa që shënoi për 3:1 në minutën e 72-të, pas një kundërzbritje të shpejtë.
Krejt çfarë Tulipanët bënë në këtë ndeshje ishte edhe goli për rezultatin përfundimtar 3:2, që u shënua nga Wijnaldum në minutën e fundit të takimit.
Kështu Italia e nxë vendin e tretë në Ligën e Kombeve, ndërsa ndeshja për vendin e parë zhvillohet sonte mes Kroacisë dhe Spanjës.


