Ismajli optimist: Kemi ardhur vetëm për tre pikë, nuk ka udhë tjetër
Mbrojtësi Ardian Ismjali është shprehur optimist se Shqipëria mund ta mposhtë Gjeorgjinë.
Me humbjen nga Çekia, “Kuq e Zinjtë” kanë dy humbje radhazi në Ligën e Kampionëve.
Para ndeshjes me Gjeorgjinë, Ismjali u shpreh se Shqipëria ka nevojë vetëm për pikët e plota, që të ketë suksese në grup.
“Natyrisht kemi ardhur këtu vetëm për tre pikë, udhë tjetër nuk ka. Sepse vetëm fitorja na mban në garë për vendin e parë, me përkushtim dhe me grupin e bashkuar besoj se nesër do të dalim me tre pikë nga ky stadium.
Kemi dy humbje në 2 ndeshjet e fundit, por kur shikon ndeshjet si kanë rrjedhur, besoj se me Gjeorgjinë nuk e kemi merituar humbjen. Por ajo është e kaluara, do shohim para. E thashë që vetëm fitorja na bën punë. Kemi ardhur për tre pikë dhe shpresoj që t’ia dalim se vetëm ato na mbajnë në garë për vendin e parë.
Sa i përket Gjeorgjisë, e dimë kualitetin e tyre, ku janë pikat e forta. Trajneri me stafin kanë analizuar çdo aspekt dhe me punë e përkushtim, me një motivim shtesë nesër do ia arrijmë qëllimit.
Plani ynë është të futemi gjithmonë në ndeshje të bëjmë më të mirën si deri tani, në dy ndeshjet e fundit nuk kemi marrë rezultatet që donim por shpresojmë që nesër t’ia dalim. Gjeorgjia luan me kundërsulme, presin shumë më shumë topin e dytë dhe plani ynë është si gjithmonë deri tani, nuk ndryshon, do vazhdojmë me të njëjtën skemë dhe shpresoj që në fund t’ia dalim”, deklaroi mbrojtësi shqiptar.
Përballja mes Gjeorgjisë e Shqipërisë zhvillohet nesër me fillim nga ora 18:00.