“Ishte një rrugëtim shumë i mirë” – Arbnor Morina flet pas dorëheqjes nga Ferizaji - NACIONALE

“Ishte një rrugëtim shumë i mirë” – Arbnor Morina flet pas dorëheqjes nga Ferizaji

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Trajneri Arbnor Morina e ka vlerësuar si “rrugëtim shumë të mirë”, kohën te Ferizaj, gjatë një bisede për Gazetën Nacionale.

Ditën e diele pas barazimit me Gjilanin, faqja zyrtare e Ferizajit njoftoi se Morina ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit të klubit.

Tekniku prishtinas ishte personi më meritor për ngritjen e Ferizajit sërish në elitë, ku edicionin e kaluar i mori në Ligën e Parë dhe e fitoi titullin.

Lidhur me këtë kohë te Ferizaj, Morina ka folur për Nacionalen, ku theksoi se vendosi të largohet pasi nuk po ecnin punët mbarë, e klubi është më i madh se çdo individ.

“Po, ka qenë një punë e madhe që e nisëm nga problemet në fillim, e deri në fund që fituam titullin kampion të Ligës së Parë dhe inkuadrimin në Superligë”.

“Pas inkuadrimit në Superligë, nuk po vazhdonte ashtu siç donim, pasi unë kam një parim gjithmonë: Klubi është më i madh se secili individ. Unë nuk kam mundur ta kuptoja pse humbnim pasi zhvillonim lojë shumë të bukur”.

“Shënonim gola, zhvillonim lojë të bukur e pastaj në fund gjithmonë pësonim. Nuk mundesha ta kuptoj pse nuk jemi duke arritur ta ruajmë rezultatin. Kësisoj, vendosa që të tërhiqem e klubi duhet të vazhdojë të arrijë ato objektivat që ka vendosur”.

Ai gjithashtu komentoi kohën e mirë që kaloi te Ferizaj, skuadër tek e cila beson që do të përparojë në vazhdimësi pasi kanë ndërtuar një “gur themel” të mirë.

“Gjithçka ka qenë shumë e mirë, duke nisur nga fillimi i punës ku kam njohur shumë njerëz të rinj, punëtorë të rinj. Lojtarët i kam njohur nga e kaluara pasi i kisha edhe në skuadrat e mëhershme, pra këta lojtarë i pata marrë nga Ferizaj te klubet e tjera. Klubi duhet të vazhdojë sepse e ka nisur shumë mirë, pra nga problemet në titullin kampion me kryetarin (Lulzim Abazi), mund të them se kanë vendosur një gur themel të mirë”, përfundoi Morina.

Ferizaji këtë edicion pas 10 xhirove të zhvilluara renditët në fundin e tabelës me tetë pikë të mbledhura, aq sa kanë edhe Dukagjini dhe Malisheva që renditën në pozitat tetë, respektivisht nëntë.

Në xhiron e radhës, Ferizaj do të jetë mysafir i FC Prishtinës, pra pas pesë ditëve në "Fadil Vokrri".

Lajme të ngjashme