Ish-ylli i Francës: Ta fishkëllesh Messin është fyerje, PSG-ja s’është klub futbolli
Paris Saint-Germaini nuk është klub futbolli dhe fishkëllimat ndaj Lionel Messit janë fyerje ndaj vetë futbollit, thotë Emmanuel Petit, fitues i Kupës së Botës me Francën.
Përkrahësit në Parkun e Princave janë ndarë në dysh për Messin, pasi një pjesë e tyre e fishkëllyen përsëri argjentinasin para ndeshjes së fundit kundër Lyonit të dielën.
Messi është në bisedime me PSG-në për vazhdimin e marrëveshjes, por Barcelona i ka kërkuar atij të kthehet në klubin ku i kaloi pjesën dërrmuese të karrierës.
Në Parkun e Princave janë ngritur dyshime nëse Messi është i përkushtuar ndaj kauzës kolektive, posaçërisht tani pasi e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në Katar 2022 në dhjetor.
Ish-përfaqësuesi i Francës, Petit, megjithatë, është i mendimit se lojtari më i mirë në historinë e sportit duhet të nderohet.
“Kur i dëgjoj ato, për mua, është fyerje ndaj futbollit”, tha Petit për fishkëllimat ndaj Messit.

Petit shtoi për kohën e Messit në Paris, ku ka dështuar ta fitojë Ligën e Kampionëve në dy sezone, dhe kthimin e mundshëm në Barçë: “Nuk është klub futbolli. Është klub për ata që janë në prag të pensionimit, madje edhe për 20-vjeçarët. Askush nuk është përmirësuar duke luajtur në PSG, a është ky faji i Messit? Ai është njeri me shkop magjik, iu takon lojtarëve përreth tij të bëjnë përpjekje. Vetëm tifozët e PSG-së nuk e kuptojnë se nevojitet një ekip i ndërtuar rreth Messit, të cilin nuk e kanë ata, dhe nuk do ta kenë, sepse menaxhmenti është i tmerrshëm në tregun e lojtarëve”.
Megjithëse Messi nuk ka qenë në formën më të mirë në dy sezonet e tij në Paris, ai prapëseprapë i ka shënuar 29 gola dhe i ka dhuruar 32 asiste në 67 paraqitje dhe shihet si favorit i madh për ta fituar Topin e Artë për herë të tetë rekorde më 2023.
