Ish-sekretari i FFK-së: O Agim Ademi me ty lidhen vetëm sukseset e dallavereve e skandaleve, jo ai i Ballkanit - NACIONALE

Ish-sekretari i FFK-së: O Agim Ademi me ty lidhen vetëm sukseset e dallavereve e skandaleve, jo ai i Ballkanit

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, ka reaguar në rrjetin social Facebook me anë të një statusi, pasi pa që presidenti aktual i FFK-së ia kishte dhënë disa nga meritat e kualifikimit të Ballkanit vetës së tij. I mllefosur Ahmeti u shpreh se me Ademin lidhen vetëm sukseset e dallavereve dhe skandaleve.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pretendoi se është përgëzuar nga presidenti i UEFA-s si njeri me merita të larta për arritjen historike të Ballkanit në Ligën e Konferencës të enjten, dhe krejt këtë e shprehi me anë të një statusi në llogarinë e tij personale.

Postimi i plotë pa ndërprerje:

"Presidenti Aleksandër Çeferin gjithmonë i afërt dhe i gatshëm për mbështetje të federatave nga shtetet e vogla si Kosova.

Mora përgëzimet e tij për kualifikimin e FC Ballkani në fazën grupore të UEFA Conference League, teksa theksoi se ky sukses lidhet me ju si udhëheqës i mirë dhe i përkushtuar në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Po ashtu, më uroj që arritjet e tilla të klubeve tona të jenë të vazhdueshme.

E falënderova për urimin dhe fjalët e veçanta dhe vura në pah se pikërisht përkrahja e tij dhe UEFA-s për të gjitha projektet e FFK-së ka bërë që futbolli i Kosovës të kalojë në një nivel tjetër.

Faleminderit President Çeferin!

Faleminderit UEFA!

A.A.

#BashkëPërFutbollin"

Kundërpërgjigja e Arianit Ahmetit

Nuk vonoi shumë kundërpërgjigja e Arianit Ahmetit, një nga njerëzit kishte bartur një nga pozitat më të larta në FFK, por pas disa përleshjeve verbale me Ademin, i doli kundër në çdo situatë.

Ai tani akuzon numrin një për suksese në dallavere dhe skandale, dhe thotë se nuk ka pasur fare aspak merita në arritjen historike të Ballkanit.

Postimi i plotë i Arianit Ahmetit

"Cili suksese lidhet me ty oo Agim Ademi, përveç dallavereve e skandaleve?!

Dy vite e ke luftu FC Ballkanin, nuk e ke lanë me dalë kampion vetëm pse nuk të përkrahu ty.

Arsim Kabashi investoi trefish në ekipin e tij për me i mposhtë matrapazllëqet tua. Ka dal kampion duke i mposhtur të gjithë dhe sukseset në Evropë janë vetëm të FC Ballkanit dhe Presidentit Arsim Kabashi.

Ti Agim Ademi ke përgjegjësi qe ke ndal dy vite suksesin e FC Ballkanit, si dhe shumë klubeve të cilat nuk mendojnë si ti."

Ballkani historik

Kujtojmë se dje Ballkani mposhti Shkupin në ndeshjen e kthimit me rezultat 1:0 në Fadil Vokrri, kështu duke shkruar historinë, kualifikimi i parë i ndonjë skuadre kosovare në fazën e grupeve të një gare evropiane, siç është ajo e Ligës së Konferencës.

Lajme të ngjashme