Ish-presidenti i Interit: Napoli mund ta fitojë Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Ish-presidenti i Interit: Napoli mund ta fitojë Ligën e Kampionëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti historik i Interit, Massimo Moratti, ka deklaruar se nuk duhet përjashtuar mundësia që Napoli ta fitojë edicionin e sivjem të Ligës së Kampionëve me formën që aktualisht gëzon.

Dikujt mund t’i duket disi avanturesk si mendim, por Massimo Moratti, si ish-president i Interit, njëmend e mendon se Napoli mund ta fitojë sezonin aktual të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Luciano Spallettit në katër ndeshjet e para në fazën e grupeve ka treguar paraqitjet më bindëse nga të gjitha skuadrat tjera pjesëmarrëse, duke arritur ta sigurojë edhe kualifikimin e parakohshëm në fazën e 1/8 të finales.

“Napoli mund ta fitojë Ligën e Kampionëve nëse do ta ruajë këtë entuziazëm”, ka shtuar Moratti për radion lokale të Napolit, “Radio Kiss Kiss”.

Kur është hedhur shorti për grupet në Ligën e Kampionëve, Grupi A konsiderohej njëra prej grupeve më të vështira, sepse përbëhej nga skuadra me traditë dhe që kanë kualitete për të mos u hedhur poshtë në kampionatet përkatëse, si: Liverpool, Ajax dhe Rangers.

Megjithatë, Napoli një nga një, pa asnjë problem, i mposhti dhe jo vetëm kaq, por edhe i demoloi me rezultat dhe lojë bindëse.

“Skuadra po bën diçka të jashtëzakonshme me një futboll tejet të bukur. Tifozët janë duke u kënaqur mjaft shumë. Shpresat janë që Napoli të vazhdojë kësisoj”
, ka deklaruar ai.

Pengesa eventuale që quhet “Botëror Katar 2022”

Për Massimo Morattin, ashtu edhe si për shumë të tjerë, Botërori i pazakonshëm që do të luhet në dimër, ai i Katarit 2022, mund të ndikojë në fomën e skuadrave dhe në rrjedhën e kampionateve përkatëse.

Njësoj ai e vlerëson edhe situatën rreth Napolit: “Nuk di se çfarë pasojash mund të prodhojë Botërori (sa i përket formës së Napolit), por nëse ekipi vazhdon ta ruajë këtë entuziazëm, atëherë do të shndërrohet në një gjë serioze dhe do ta meritonte."

Napoli edhe pse ka shitur një varg lojtarësh gjatë afatit kalimtar veror, disa prej të cilëve kishin mbajtur barrën e tërë ekipit siç ishin Insigne si kapiten, Mertens, Koulibaly, Fabian Ruiz, etj – sërish me anë të disa transferimeve inteligjente, pa shpenzuar shumë, ia ka dalë që ta komponojë një ekip serioz – në mos më kompakt sesa ai që kishte qenë më herët.


Në tërë këto rezultate fantastike të Napolit në të dy nivelet, si në kampionat ku kryeson në tabelë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve – hisedar i suksesit ka qenë edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Për fatin e tij të keq ai u lëndua në ndeshjen kundër Cremonese para afro dhjetë ditëve. Ai do të mbesë jashtë fushës së blertë për të paktën dy muaj, ngase lëndimi në kofshën e majtë është i shkallës më serioze seç pritej.

Kryesisht ai që më së shumti ka bërë dallimin në këto javë te Napoli ka qenë Kvaratskhelia. Ylli gjeorgjian nuk ka mahnitur vetëm tifozët e Napolit, por të gjithë futbolldashësit.

Deri më tani ai ka një statistikë brilante me 5 gola të realizuar në 10 ndeshje në kampionat, duke kontribuar me po aq asiste (5). Ndërsa në Ligën e Kampionëve njashtu e ka mbajtur të njëjtin ritëm të golave dhe asisteve, duke shënuar (2) në gjysmën e ndeshjeve të luajtura, për t’ia shtuar këtu edhe disa asiste tjerë (3).

Lajme të ngjashme