Ish-presidenti i federatës spanjolle arrestohet për korrupsion - NACIONALE

Ish-presidenti i federatës spanjolle arrestohet për korrupsion

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i federatës spanjolle të futbollit (RFEF), Luis Rubiales, është arrestuar sot (e mërkurë) si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Ai u lirua menjëherë pasi u ndalua me mbërritjen në Madrid nga Republika Domenikane.

Ai dyshohet se ka marrë komisione të paligjshme kur negocionte një marrëveshje fitimprurëse për të organizuar kompeticionin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.

Prokurorët kërkojnë një dënim prej dy vjet e gjysmë burg.

Rubiales ka mohuar çdo akuzë në drejtim të tij.

Pasi zbriti nga avioni, ai u fut në një furgon të zi me disa pjesëtarë të Gardës Civile. Ai u lirua menjëherë, pas intervistimit.

Transmetuesi publik spanjoll RTVE raporton se Rubiales mund të paraqitet në gjykatë të enjten.

Rubiales ishte në Republikën Domenikane kur policia kontrolloi shtëpinë e tij muajin e kaluar.

Ata kontrolluan edhe selinë e federatës së futbollit dhe bënë disa arrestime.

Rubiales gjithashtu do të dalë në gjyq për sulm seksual për puthjen në gojë të lojtares Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës verën e kaluar, veprim ky që ishte shkaktar që ai të humbiste vendin e punës si president i federatës.

Hermoso dhe bashkëlojtaret të kombëtarja thanë se puthja ishte e padëshiruar dhe poshtëruese.

Rubiales u detyrua të jepte dorëheqjen, por edhe në këtë rast ka mohuar akuzat në drejtim të tij.

Lajme të ngjashme