Ish-presidenti i Barçës për jetën në burg: Tani e kuptoj pse të japin kondomë aty, qaja shumë
Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, është rrëfyer se si kishte qarë me të madhe dhe kishte mësuar shumë gjëra gjatë një viti qëndrimi në burg, për një krim për të cilin u shpall i pafajshëm më vonë.
Rosell u burgos pa pasur mundësi lirimi me kusht pas akuzave për shpëlarje parash në lidhje me blerjen e të drejtave televizive për ndeshjet e ekipit kombëtar të Brazilit në të kaluarën.
“Ata (të burgosurit) më kërcënuan mua dy herë, po dy djem me të cilët u bëra miq më dolën në mbrojtje menjëherë”, tha Rosell për mediat spanjolle.
“Ata do të më rrihnin mua. Një herë sepse isha president i Barcelonës dhe herën tjetër sepse jam katalonas. Më ndodhi një herë në Madrid dhe një herë tjetër në Barcelonë, por në të dy rastet ata më mbrojtën mua pa iu kërkuar”.
58-vjeçari ishte president i Barcelonës nga viti 2010 deri më 2014.
Ai u burgos më 2017 dhe i kaloi saktësisht 643 ditë në burg gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, para se të lirohej më 2019 pasi u shpall i pafajshëm.
“Në burg qava me dënesë”
Rosell tregoi se i lejohej ta shihte familjen dy herë në mua dhe se si ishte jeta në burg për të.
“Burgu është i zymtë dhe bajat, por në të njëjtën kohë në të gjen shumë humanitet, është një kontrast i vazhdueshëm i emocioneve, ngjyrave, trishtimit e madje të qeshurave”, shpjegoi Rosell.
“Unë gjithmonë kam tentuar të jem festiv, nuk e mbaj në mend të kem qarë në jetën time dhe në burg qava disa herë dhe qava me dënesë, pastaj ndihesha më mirë”.
Seksi në burg
Rosell foli po ashtu edhe për seksin në burg gjatë kohës që e kaloi aty.
“Kur shkon në burg, thonë që ta japin një pako kondomash dhe vazelinë. E pyet veten, për çfarë është kjo? E kupton pastaj për çfarë”, shpjegoi ai.
“Po. Ka shumë marrëdhënie homoseksualësh në burg, madje edhe mes njerëzve që nuk janë homoseksualë”.
Akuzat për trafikim me organe njerëzish
Rosell është liruar nga pesë akuza por ka një akuzë ende në proces.
“Deri tani jam përballur me gjashtë akuza, pesë prej të cilave më ka akuzuar prokuroria”, tregoi ai.
“Nga gjashtë akuza për të cilat është kërkuar burgim për mua, në pesë prej tyre jam liruar tashmë. E kam vetëm edhe një akuzë, për të cilën prokuroria po me akuzon për trafikim me organe njerëzish”.