Ironizon Ismet Munishi: Garë e nxehtë, Ancelotti shpreh dëshirën të bëhet trajner i Kosovës
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbetur pa trajner, pasi Primoz Glihes nuk iu vazhdua qëndrimi në stol, pas një eksperience të shkurtër si trajner-kujdestar.
'Dardanët' patën një cikël kualifikues për t'u harruar, pasi përfunduan në vendin e parafundit në grup, në grupin në të cilin kur u hodh shorti u synua kualifikimi, pasi më lehtë për Kosovën nuk kishte se ku të shkonte më.
Ishte fillimisht Alain Giresse që dështoi në krye të Kosovës, duke humbur pikë me Andorrën e Bjellorusinë, kështu me radhë, i cili u shkarkua, por reagimi nga FFK ishte shumë i vonshëm.
Gliha erdhi sërish si trajner-kujdestar, pasi kishte qenë edhe më herët në këtë pozitë. Ndonëse mori pikë më shumë se Giresse, sërish objektivi nuk u arrit, por slloveni e teproi gjithashtu me deklaratat e tij për media.
Pas largimit të tij, shumë emra u përmendën për pozitën e trajnerit të Kombëtares së Kosovës, shumica prej tyre spekulime.
Tani, trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi, ka ironizuar me një status në Facebook, ku ka thënë se edhe Carlo Ancelotti ka shprehur dëshirë të vijë në këtë pozitë.
"Nxehet gara për selektor. Ancelotti shpreh dëshirën e tij të madhe për stolin tonë", u shpreh Munishi.

Mbetet për t'u parë se kush do të vijë në këtë pozitë delikate, me Kosovën që nuk zhvillon ndeshje kualifikuese deri në shtatorin e vitit të ardhshëm.

