Inzaghi: Përballja Milan – Inter është më shumë se vetëm një derbi lokal
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ka thënë se përballja e skuadrës së tij me rivalin e qytetit, Milanin, është më shumë se vetëm një derbi lokal.
Gjigantët e Milanos, të cilët mes tyre janë kurorëzuar dhjetë herë kampionë të Evropës, përballen të mërkurën në ndeshjen më të madhe mes dy skuadrave në gati dy dekadat e fundit dhe trajneri i Interit, Inzaghi, e di mirë rëndësinë e saj.
Kjo do të jetë hera e parë që dyshja e Serisë A-së do të luajnë me njëra-tjetrën në garën më të mirë të klubeve evropiane pas të ashtuquajturit "derbi i turpit" të vitit 2005, një çerekfinale e fituar nga Milani, ndeshja e dytë e së cilës u pezullua pasi tifozët e ‘egër’ të Interit nisën hedhje të fishekzjarrëve, me skuadrën e tyre që ishte shumë prapa në rezultat të përgjithshëm.

“Nuk është vetëm derbi lokal, është më shumë se kaq”, u tha Inzaghi gazetarëve.
“Ne e dimë se çfarë do të thotë kjo ndeshje për ne, klubin, tifozët tanë dhe veten time. Por unë ndihem i qetë sepse kam parë që djemtë janë shumë të koncentruar. Gjatë 20 muajve të fundit ne kemi luajtur shtatë derbi... kemi fituar dhe kemi humbur. Çdo ndeshje ka historinë e saj, do të ketë raste kur do të jemi më kërkues në sulm dhe raste kur do të jemi më në mbrojtje. Ashtu siç bëmë në 1/8-ën dhe çerekfinale, do të duhet të luajmë të gjithë së bashku dhe të bëjmë sakrificë."

Interi hyn në ndeshje me një seri prej pesë fitoresh radhazi dhe me një sulm që ka gjetur ritmin e golave.
Skuadra e Inzaghit ka shënuar katërmbëdhjetë gola në këtë seri, dhjetë prej të cilëve janë shënuar nga sulmuesit, me Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez të dy në një seri ‘të nxehtë’.

“Ne kishim një periudhë në të cilën sulmuesit nuk po kalonin mirë, por tani fatmirësisht ata kanë filluar të shënojnë sërish dhe kjo është ajo që ne duam. Unë nuk jam i shqetësuar tani ashtu siç nuk isha i shqetësuar më parë. Problemi për mua është kur sulmuesit nuk kanë mundësi, por sulmuesit tanë gjithmonë kanë pasur raste për të shënuar."
Mbrojtësi i Italisë, Federico Dimarco, ishte ende fëmijë dhe i rregullt në tribunat e San Siros në vitin 2005 dhe dëshiron të fitojë në një ndeshje që mund të jetë hakmarrje për një nga humbjet më të dhimbshme të derbit për klubin e tij të fëmijërisë.

“Të mendosh se 20 vjet më parë po e shikoja ndeshjen nga tribuna dhe tani po luaj në të është një ndjenjë e pabesueshme”, tha Dimarco.
"Ne e dimë rëndësinë e ndeshjes dhe të derbit, ne do t'i japim më të mirën tonë."



