Intervistë | Presidenti Krasniqi: Lojërat Mesdhetare sukses, por kemi pritur medalje edhe nga sportet tjera
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, i vlerësoi si sukses gjashtë medaljet e fituara në Lojërat Mesdhetare, por thotë se ka pritur medalje edhe nga sportet tjera.
Kosova e mbylli me gjashtë medalje aventurën në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” që u zhvilluan në Algjeri. Xhudo siguroi pesë medalje (3 të arta, 2 të bronzta), derisa një medalje pas 31 viteve në boks e siguroi Shpëtim Bajoku.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, presidenti i KOK-ut i ka vlerësuar si sukses këto paraqitje, duke treguar se pavarësisht që Algjeria nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk kanë pasur asnjë problem më të voglin dhe tani është koha të fokusohen për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Nacionale:
Gjashtë medalje në Lojërat Mesdhetare, si i vlerësoni paraqitjet në përgjithësi?
Ismet Krasniqi:
Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare "Oran 2022" dhe fitimi i gjashtë medaljeve, është një tjetër sukses i madh për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe sportin tonë në përgjithësi dhe vetë shtetin tonë që u përfaqësua në mënyrën më të mirë të mundshme. Siç dihet Algjeria nuk e njeh Kosovën, por gjatë qëndrimit tone në Oran, u trajtuam në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos pasur as edhe me të voglin problem sa i përket simboleve tona shtetërore. Medaljet e fituara thyen edhe rekordin e katër viteve më parë, ku u fituan katër medalje, të gjitha nga xhudo. Këtë herë u fituan gjashtë, pesë nga xhudo dhe një nga boksi, për çka duhet falënderuar edhe sportistët edhe federatat për suksesin e arritur.
Distria Krasniqi tregoi se është nivel tjetër me garueset e saj dhe kjo jep shpresë për tjetër medalje në Lojërat Olimpike Paris 2024. Loriana Kuka po ashtu luftoi fort dhe me plot meritë fitoi të artën, përkundër se kishte luftëra shumë të forta.
Nacionale:
A keni pritur më shumë medalje në këto Lojëra Mesdhetare, dhe nëse po, përmes kujt?
Ismet Krasniqi:
Sigurisht se kemi pritur edhe nga sportet tjera, por në disa raste sportistëve u mungoi fati, sidomos karatistes, Albulena Gërvalla, e cila arriti në gjysmëfinale dhe nga dy luftërat që i siguronin medalje nuk fitoi, për çka përfundoi në vendin e pestë. Po ashtu, boksieri Bashkim Bajoku, ka mundur të ishte medalist, por gjyqtarët vendosën t'ia japin fitoren kundërshtarit të tij. Sidoqoftë, tri medalje të arta, tri të bronzta janë sukses i madh.
Nacionale:
Shpëtim Bajoku fitoi medalje të bronztë në boks pas plot 31 viteve, mirëpo pas humbjes në gjysmëfinale kemi parë që shkuat ta 'ngushëlloni', cila ishte biseda juaj me të? A keni ndonjë koment lidhur me vendimin përfundimtar të gjyqtarëve, ngase edhe vetë boksieri e vlerësoi si jo të drejtë.
Ismet Krasniqi:
Jo vetëm Bajokun, por gjithë sportistët tjerë i kemi përkrahur dhe natyrisht u kemi qëndruar pranë edhe kur kanë pësuar humbje, e sidomos Bajoku, i cili luftoi dhe e meritoi të shkonte në finale. E kam ngushëlluar duke i thënë se ti je kampion dhe se e ke merituar finalen, pasi gjyqtarët, nga të cilët vetëm njeri ishte i Evropës, ia mohuan fitoren, duke favorizuar boksierin vendas, njëjtë siç ndodhi edhe me boksierët nga Shqipëria.
Me potencialin që ka, Shpëtimi është e ardhmja e boksit, sport ky që dalëngadalë po e kthen traditën e dikurshme.
Nacionale:
Xhudo vazhdon të jetë më dominuese, cili është problemi që atletët tanë janë duke hasur për të fituar medalje në sportet e tjera?
Ismet Krasniqi:
Dalëngadalë edhe sportistët tjerë po arrijnë të fitojnë medalje në garat e mëdha ndërkombëtare. Dëshmia më e mirë është ky vit, ku Donjeta Sadiku fitoi të bronztën në Kampionatin Botëror të boksit, pastaj Elhami Shabani, medalist i bronztë i Evropës në karate dhe tash Bajoku në Mesdhetare.
Nacionale:
Muhamed Ramadani mbetet një ndër atletët më premtues në Kosovë, por a ka ndonjë datë se kur mund t'i ndërtohet palestra?
Ismet Krasniqi:
Unë jam i lidhur ngushtë me këtë problem të atletit tonë dhe tashmë projekti ndodhet në MKRS. Besoj se edhe ministri Çeku dhe zëvendësministrja Osmani, me të cilët kemi bashkëpunim tejet të mirë, do të marrin veprimet e nevojshme dhe atletit tonë sa më parë t’i plotësohen këto kushte.
Nacionale:
Cila është pika që synon që KOK-u ta arrijë nën mandatin tënd si president?
Ismet Krasniqi:
Synimi ynë është që t'i përkrahim sportistët dhe të rrugëtojmë së bashku drejt Lojërave Olimpike Paris 2024, ku objektivi ynë është të kemi sa më shumë norma olimpike dhe me pas të fitojmë sa më shumë medalje Olimpike. Momentalisht kemi 22 sportistë të cilëve u japim bursa olimpike dhe 25 të tjerë të cilët marrin bursa si Shpresa Olimpike. Natyrisht synojmë që këtë numër ta rrisim gradualisht, siç kemi qëllim që ta rrisim buxhetin e KOK-ut nga viti në vit.
