Interi në krizë rezultatesh, tani barazon me Salernitanën
Interi sërish ka dështuar të kthehet te fitoret në Serie A, duke barazuar me rezultat 1:1 me Salernitanën, e cila gjendet në pjesën e poshtme të tabelës. Në këtë ndeshje startoi mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani, ku tregoi paraqitje të mirë për gati 70 minuta dhe ishte në mesin e të dalluarve.
Tri humbje në katër ndeshjet e fundit ishte rekordi i zikaltërve para kësaj ndeshje, që tashmë e ka në rrezik edhe sigurimin e një vendi për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Simone Inzaghit ishte dominuese në këtë takim, në pothuajse çdo pjesë të fushës, por portieri meksikan i vendasve, Guilermo Ochoa, ishte në ditën e tij, teksa Salernitana u tregua e rrezikshme vetëm në tri raste gjatë 90 minutave lojë, me një nga ato që e dënoi gjigantin italian.
Goli i parë i takimit u shënua në minutat e para, saktësisht në minutën e gjashtë, kur Robin Gosens shënoi gol të bukur pas asistimit të Romelu Lukakut.
Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim, me Interin që insistonte madje duke goditur dy herë shtyllën, por në krejt në minutat shtesë ndodhi e papritura. Salernitana shënoi për të barazuar rezultatin.
Ishte Antonio Candreva, ish-lojtari i Interit që shënoi gol të çmendur, për të barazuar gjithçka në 1:1, për të mos lënë zikaltrit të kthehen te rezultatet pozitive.
Me këtë barazim, tani Interi gjendet në vendin e katërt me 51 pikë, që rrezikohet nga Roma e Atalanta që janë në pozitat pesë dhe gjashtë, ku me fitore të mundshme, të dyja mund të dalin më lartë se zikaltrit.