Interi i falet Lautaros, me shumë mund e mposht Veronën
Nënkampioni i Italisë, Interi, është kthyer te fitoret, pas një barazimi të hidhur ndaj Monzës, ku kësaj radhe e mposhti me shumë mund Veronën me rezultat 1:0, falë golit të Lautaro Martinezit.
Vitin 2023 zikaltrit e nisën mirë me një fitore ndaj liderit të Serie-së Napolit, por më pas gaboi ndaj Monzës, duke marrë një pikë dhe për të bërë një hap prapa në garën për titull.
Por fitorja në Kupën e Italisë kundër Parmës, duket se i ka dhënë zemër Interit, për të vazhduar me fitore në kampionatin italian.
Edhe pse loja e tyre nuk bindi shumë ndaj Veronës, goli i hershëm i Lautaros doli të ishte vendimtar në takim.
Zhvillohej minuta e tretë e takimit, ku pas një goditjeje të Roberto Gagliardinit, topi u bllokua nga vija mbrojtëse e mysafirëve, e nga topi kthyer, sulmuesi argjentinas u tregua shumë preciz për të shënuar në këndin e poshtëm për 1:0.
Në vazhdim Interit krijoi raste dhe në fund të pjesës së parë Mkhitaryan ishte afër të shënonte por një devijim i topit me dorë nga një lojtar i Veronës ia mohoi golin atij për dyfishimin e epërsisë. VAR-i u konsultua për rastin, por vendosën se nuk kishte lojë me dorë dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin e minutës së tretë.
Në pjesën e dytë sërish Interi ishte më kërkues dhe arriti të shënonte përmes Lautaros, por gjyqtari e anuloi golin për shkak të një faulli të lehtë të shkaktuar nga fituesi i Botërorit.
20 minuta pa përfunduar takimi, minuta pati edhe reprezentuesi i Shqipërisë, Kristjan Asllani, i cili la ndikimin e tij në fushë me anë të një goditje që ishte shumë afër të shënonte golin e parë për fanellën e Interit.
Che tiro da fuori di @KristjanAsllani !!!#InterVerona #ForzaInter pic.twitter.com/ipdopaBVe3
— Inter (@Inter) January 14, 2023
Me rezultatin 1:0 përfundoi takimi dhe tani Interi me këto tre pikë të reja renditet e katërta në Serie A me pikë të barabarta me Juventusin e vendit të tretë, me një pikë më pak se Milani e 10 më pak se lideri, Napoli.