Interi e mposht Atalantën, ‘Zikaltrit’ e vazhdojnë mbretërimin në Serie A - NACIONALE

Interi e mposht Atalantën, ‘Zikaltrit’ e vazhdojnë mbretërimin në Serie A

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Interi ka arritur të shënojë fitore në derbin e Lombardisë ndaj Atalantës me rezultat 2:1, për të vazhduar kryesimin në Serie A, tani pesë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt Juventusi, të cilët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Skuadra e Simone Inzaghit, ka hyrë në një seri pozitive, ku në pesë ndeshjet e fundit, ka shënuar katër fitore dhe një barazim, duke përfshirë edhe një ndeshje në Ligë të Kampionëve.

Atalanta në këtë takim ishte vendase dhe e filloi shumë më mirë takimin, ku patën një rast shumë të mirë shënimi, që nuk u konkretizua.

Zikaltrit pastaj morën tempon e lojës në dorë, duke kontrolluar topin mirë e duke depërtuar ngadalë deri në zonë.

Loja e mirë e Interit dha frytet e veta. Ishte një sulm i shpejt kur Matteo Darmian hyri në zonë dhe u ndal në mënyrë të palejueshme nga portieri vendas, ku u akordua penallti.

Hakan Calhanoglu ishte ai që mori përsipër gjuajtjen nga 11 metra dhe e konvertoi në gol për 1:0 në minutën e 40-të, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Interi vazhdoi të ishte më e mirë në fushë edhe në fillim të pjesës së dytë. Minuta e 57-të dhe Lautaro Martinez shënoi gol të jashtëzakonshëm për 2:0.

Nga aty zikaltrit e lëshuan paksa, me Atalantën që mori kontrollin e ndeshjes dhe filloi të shfaqej e rrezikshme.

Zhvillohej minuta 61-të kur një gabim i Federico Dimarcos u shfrytëzua nga Lookman, i cili asistoi bukur për Scamaccan, që ngushtoi rezultatin në 2:1.

Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim në rezultat, vetëm Rafel Toloi i Atalantës u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve.

Interi kështu me këtë fitore vazhdon të kryesojë në Serie A, ndërsa Atalanta rrezikon ta humbë vendin e pestë.

Lajme të ngjashme