Inter merr tre pikë në udhëtim ndaj Plzen, Sporting shënon fitore të madhe kundër Tottenhamit
Sot, u luajtën dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve me fillim në ora 18:45. Inter fitoi në udhëtim kundër Plzen me rezultat 0:2, kurse Sporting shënoi fitore të madhe me rezultat 2:0 kundër Tottenhamit.
Interi ka shënuar fitoren e dytë radhazi, pas dy humbjeve të njëpasnjëshme që kishte shënuar në derbin ndaj Milanit dhe në sfidën e parë në edicionin e sivjem të Ligës së Kampionëve kundër Bayernit në shtëpi.
Skuadra “zikaltre” zhvilloi një ndeshje të kujdesshme, e cila ia mundësoi asaj që të triumfojë, duke arkëtuar tre pikë të vlefshme, të cilat janë edhe të parat.
Në anën tjetër, në ndeshjen që u zhvillua në Lizbonë mes Sportingut dhe Tottenhamit, pati raste të ndryshme shënimi, por ishin portugezët ata që gjetën dy gola të shpejtë në fund të ndeshjes, për ta shënuar një fitore tejet domethënëse.
Raporti i ndeshjes Plzen 0:2 Inter
Inter me një paraqitje të pjekur ia ka dalë që ta arrijë një fitore të çmuar në udhëtim ndaj Plzenit.
Inzaghi zgjodhi që ta nisë ndeshjen me dyshen e sulmit Correa dhe Dzeko. Ylli boshnjak tregoi menjëherë vlerat e tij në minutën e 20-të.
Ai me anë të një goditje shumë të bukur nga një pozitë aspak e lehtë, arriti që të shënojë golin e epërsisë për 0:1.
Në minutat në vazhdim, Inter vazhdoi të ishte mbizotërues në fushë, duke mos i lënë shumë hapësirë vendësve që ta rrezikon portën e Onanas.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat të ngushtë të zikaltërve. Pjesëloja e dytë nisi me një ritëm të ngjashëm sikurse në 45 minutat e para.
Një ndërhyrje e ashpër e mesfushorit Bucha i kushtoi atij rëndë në minutën e 61-të, pasi gjyqtari e ndëshkoi me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.
Kësisoj, Inter arriti që ta shfrytëzojë këtë epërsi, pasi në minutën e 71-të shënoi edhe golin e sigurisë, atë të dytin. Gjithnjë protagonist ishte Dzeko, i cili dha një asist të mirë për Dumfries. Mbrojtësi holandez i gjendur në një pozitë të përshtatshme shënimi nuk gaboi, për ta çuar rezultatin në 0:2.
Deri në fund të ndeshjes Inter me mjaft sukses e menaxhoi këtë rezultat, duke arkëtuar edhe tre pikët e para në grupin C ku merr pjesë.

Raporti i ndeshjes Sporting 2:0 Tottenham
Dy skuadrat që ndajnë kreun e tabelës në grupin D, Sporting dhe Tottenham, u ndeshën në Lizbonë, në një ndeshje të luftuar, që prodhoi një fitore me dramë për vendësit.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me dy skuadrat që përpiqeshin që ta zhbllokonin ndeshjen, por pa sukses. Me raste meritorë se pse epilogu i ndeshjes mbetej në shifrat e 0:0 ishin edhe të dy portierët, meqë bënë paraqitje vërtet të madhe.
Në pjesën e dytë Tottenham provoi që ta ndryshonte kursin e lojës, duke e synuar me shpesh portën e portugezëve për ta mposhtur.
Mirëpo dushi i ftohtë për skuadrën e Antonio Contes erdhi në minutat e fundit të ndeshjes. Nga një aksion që nuk premtonte shumë Sporting shënoi golin e parë.
Zhvillohej minuta e 90-të kur Paulinho tundi rrjetën e Lloris, për ta dërguar skuadrën portugeze në epërsi.
Më vonë, Tottenham provoi që me të gjitha forcat ta barazonte rezultatin, por u ndëshkua me një kundërsulm mjeshtëror nga Sporting. Arthur Gomez shënoi golin e dytë për nikoqirët në minutën e 93-të, duke ia dhënë goditjen e fundit Tottenhamit.
Me këtë epilog përfundoi edhe ndeshja, ndërsa gjendja tabelore në grupin D për momentin është kjo, siç ilustrohet në fotografinë e mëposhtme.


