Inter ia shkakton humbjen e parë në sezon Napolit, rihapet gara për titull - NACIONALE

Inter ia shkakton humbjen e parë në sezon Napolit, rihapet gara për titull

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gol i Edin Dzekos i ka mjaftuar Interit për të shënuar një fitore minimale 1:0 ndaj Napolit, por me mjaft peshë. Në këtë sfidë u rikthye të luajë titullar edhe Amir Rrahmani, por paraqitja e tij la për të dëshiruar.

Interi ka arritur ta sigurojë një fitore mjaft të çmuar në derbin e javës së 16-të të Serie A, duke mposhtur kështu Napolin. Për këta të fundit kjo ishte edhe humbja e parë në sezon.

Ndeshja nisi mjaft mirë për “zikaltrit”. Ishte Dimarco ai që në minutën e 4-t iu aftrua ndjeshëm zhbllokimit të rezultatit, por nuk goditja e tij doli jashtë kuadratit të portës.

Sërish ishte Interi më klinik, edhe pse posedimi i topit ishte në të mirë të mysafirëve në 30 minutat e parë të lojës. Në minutën e 26-të Darmian nga afërsia shpërdoroi një rast të mirë shënimi, me topin që përfundoi mbi portë.

Napoli rastin e parë për gol e pati tek në minutën e 52-të, kur u nevojit një pritje bravoroze nga Onana për ta ndalur goditjen e Osimhen.

Vetëm dy minuta më vonë erdhi goli i epërsisë. Pas një harkimi të bukur nga Dimarco, Dzeko me mjaft përvojë dhe zgjuarsi mashtroi me një lëvizje Rrahmanin, duke u liruar nga mbulimi i tij, për të shënuar më pas me kokë për 1:0.

Ky gol i dha një hije jo të mirë paraqitjes së Rrahmanit, pasi u vlerësua si një lëshim goxha i rëndë, i cili i kushtoi me humbje skuadrës së tij.

Pra, në minutat e mbetura të ndeshjes sado që pati orvatje dëshpëruese nga Napoli, rezultati mbeti i njëjti, ai 1:0.

Interi me këtë fitore ngjitët në kuotën e 33 pikëve, duke iu afruar vendit të parë, gjegjësisht Napolit, në tetë pikë.

Xhiroja e ardhshme, gjegjësisht ajo e 17-të, do të luhet në fundjavë. Interi do të luajë në udhëtim kundër Monzas. Në udhëtim do të luajë edhe Napoli, që do të ndeshet ndaj Sampdorias.

Lajme të ngjashme