Inter dhe Roma shënojnë fitore të lehta, Mourinho rrëmben kreun e tabelës - NACIONALE

Inter dhe Roma shënojnë fitore të lehta, Mourinho rrëmben kreun e tabelës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Inter dhe Roma kanë shënuar dy fitore të rëndësishme gjatë kësaj mesjavëje, duke mposhtur dy skuadrat e porsa inkuadruara në Serie A: Cremonese dhe Monza. Inter fitoi me rezultat 3:1, kurse Roma ngadhënjeu me shifrat 3:0.

Dy skuadrat që llogariteshin favorite për t'i marrë tri pikët e plota, Inter dhe Roma, shfrytëzuan siç është më së miri hapin fals të sotëm të rivalit të Milanit, pasi kampioni në fuqi në Itali nuk ia doli të dalë me fitore nga sfida e luajtur në "Mapei" kundër Sassuolos, me ndeshjen që mbaroi me shifrat 0:0.

Si Inter, ashtu edhe Roma, për asnjë çast nuk e vurën në dyshim epilogun përfundimtar të ndeshjeve përkatëse, duke treguar në shumicën e kohës edhe një lehtësi të madhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese.

Inter fiton pa telashe kundër Cremonese

Inter ka fituar pa telashe kundër Cremonese. Inzaghi bëri edhe rotacion në fazën sulmuese, duke u dhënë minutazh të plotë alternativave të dyta siç janë Dzeko dhe Correa, të cilët luajtën nga minuta e parë.

Besimin e trajnerit e arsyetoi në plotni që herët sulmuesi argjentinas, Correa, i cili në minutën e 12-të zhbllokoi rezultatin.

Inter nuk tregoi gjatë gjithë kohës ndonjë ritëm të theksuar në ndeshje, por nuk u vu në ndonjë rrezik të theksuar nga kundërshtarët për asnjë moment.

Ishte minuta e 38-të e sfidës kur të pranishmit në "San Siro" kaluan në delir, pasi mesfushori italian, Nicolo Barella, koordinoi një goditje mahnitëse nga jashtë zona e 16-metërshit, për t'i çuar shifrat në 2:0.

Skuadra e Inzaghit me këtë epërsi mbylli llogaritë e pjesës së parë, ndërkaq në pjesën e dytë bëri disa zëvendësime, për të sjellë freski të reja në skuadër.

Edhe Lautaro Martinez ishte në mesin e lojtarëve që hynë në periudhën e fundit të lojës. Sulmuesi argjentinas në minutën e 76-të u regjistrua në listën e golashënuesve, pasi pasimin e Barellas nuk e çoi dëm, por e finalizoi aksionin në formën më të përkryer.

Mysafirët deri në fund të ndeshjes arritën ta shënojnë të paktën një gol të nderit. Këtë e bënë në minutën e 90-të falë sulmuesit Okereke

Me rezultatin 3:1 Inter vulosi fitoren, duke grumbulluar 9 pikë në katër ndeshje të luajtura deri më tani. Aktualisht Inter zë vendin e dytë, një pikë mbrapa Romës dhe në pritje të zhvillimit të ndeshjeve tjera që janë në program gjatë ditës së nesërme.

Dybala lider i Romës në fitoren kundër Monzas

Më në fund tifozët e Romës kanë mundur t'i shohin edhe golat e parë të benjaminit të tyre të ri, Paulo Dybala.

Ylli 29-vjeç argjentinas në minutën e 18-të shënoi një gol mjaft të bukur, në afërsi të zonës së rreptësisë, duke goditur saktë dhe në mënyrë efikase.

Pas 14 minutave lojë, Dybala arriti që ta sigurojë dyfishimin e epërsisë për skuadrën e tij, pasi e përcolli lëvizjen e aksionit me mjaft zgjuarsi, duke e devijuar topin drejt kuadratit.

Me epërsinë 2:0 skuadrat shkuan në zhveshtore për të pritur filliminn e pjesë së dytë. Në pjesëlojën e fundit Roma ruajti energjitë, duke mos u shfaqur shumë mbizotëruese në lojë.

Sidoqoftë, verdhekuqtë ia dolën që ta shënojnë edhe golin e tretë në ndeshje, me mbrojtësin Ibanez, që në minutën e 61-të u gjend mirë në zonën e ngushtë të portierit kundërshtar.

Kjo ishte ndeshja e radhës që stadiumi i Romës ishte i stërmbushur. Tani e tutje do të ketë një arsye akoma edhe më të madhe që të përsëritet dhe të vazhdojë kjo eufori, pasi Roma aktualisht është lidere në Serie A.

Ndjesi që tifozëve të Romës u mungonte për një kohë të gjatë.

Lajme të ngjashme