Inter demolon Sampdorian, Leeds shokon Liverpoolin duke e mposhtur në “Anfield” - NACIONALE

Inter demolon Sampdorian, Leeds shokon Liverpoolin duke e mposhtur në “Anfield”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Inter ka bërë fitoren e radhës në kampionat duke mposhtur 3:0 Sampdorian. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në Premierligë, Liverpool humbi 1:2 ndaj Leedsit, me një paraqitje zhgënjyese.

“Zikaltrit” prej që kanë arritur të marrin rezultate pozitive ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve dhe ta sigurojë kalimin në 1/8 e finales në kompeticionin në fjalë, është rigjeneruar dhe ka kthyer formën e vitit të kaluar.

Ekipi i drejtuar nga Simone Inzaghi siguroi fitoren e katërt rresht në kampionat, duke mposhtur “ligurët” e Sampdorias.

Ndërkohë në Premierligë agonia e Liverpoolit vazhdon. Leeds sot ia nxori një fitore në “Anfield”. Kriza e nënkampionit në fuqi në Angli është evidente.

Raporti i ndeshjes Inter 3:0 Sampdoria

Në “Giuseppe Meazza” gati, gati se u luajt me një portë të vetme. Interi ishte ekipi mbizotërues në fushë dhe kjo nuk u vu asnjëherë në dilemë.

Goli i epërsisë erdhi në minutën e 21-të me De Vrij, që goditi bukur me kokë, pas një harkimi të mirëfilltë nga Calhanoglu që bëri nga këndorja.

Një lojtar që ka rritur ndjeshëm paraqitjet e tij kohëve të fundit është edhe Barella. Ai dyfishoi epërsinë në minutën e 44-të. Një diagonale mahnitëse nga Bastoni nxori të lirë Barellan. Ky i fundit koordinoi një goditje të fuqishme dhe la të shtangur portierin kundërshtar.

Interi vijoi të sulmonte edhe në pjesën e dytë. Ishte Correa ai që shënojë një tjetër gol të mrekullueshëm në këtë ndeshje.

Futbollisti argjentinas në minutën e 73-të goditi nga një pozitë ballore nga afro 20 metra, duke shënuar për 3:0.

Pas kësaj fitore Interi renditet në pozitën e 5-të me 22 pikë, kurse Sampdoria në atë të 18-të me 6 pikë.

Raporti i ndeshjes Liverpool 1:2 Leeds

Në “Anfield” Liverpool zhgënjeu sërish tifozët e vet. Goli i disavantazhit erdhi shumë shpejt pas një moskuptimi mes Gomez dhe Alisson.

Portieri brazilian rrëshqiti dhe Rodrigo me portën bosh shënoi në minutën e 4-të.

Liverpooli nuk vonoi shumë dhe u rikthye në lojë. Këtë e bëri me anë të Mo Salah, që shënoi pas një harkimi nga këndorja që ekzekutoi Robertson në minutën e 14-të.

Ekipi i drejtuar nga Klopp kishte më shumë raste shënimi në vijim të lojës, por të ngjashme pati edhe Leeds.

Volumi më i madh në lojë nga Liverpooli erdhi në minutat e fundit të lojës. Një seri goditjesh nga lojtarët e repartit sulmues përfunduan me pritje shumë të mira nga Meslier.

Dushi i ftohtë për Liverpoolin erdhi në minutën e 89-të. Ishte Bamford që shërbeu mirë për Summerville. Ky i fundit nga afërsia nuk gaboi dhe shënoi golin që çmendi tifozët mysafirë, duke çuar shifrat në 1:2.

Leeds arriti me meritë që ta ruajë këtë epërsi deri në fund të ndeshjes.

Me këtë rezultat Liverpool renditet në pozitën e 9-të me 16 pikë, kurse Leeds në atë të 15-tën me 12 pikë.

Lajme të ngjashme