Ilir Daja pas fitores ndaj Dinamo Zagrebit: Çelësi i suksesit është grupi i bashkuar - NACIONALE

Ilir Daja pas fitores ndaj Dinamo Zagrebit: Çelësi i suksesit është grupi i bashkuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani, arriti një sukses të madh sot. Ata triumfuan ndaj gjigantit kroat Dinamo Zagreb në kuadër të grupeve të Ligës së Konferencës dhe ideatori i kësaj skuadre të madhe, trajneri Ilir Daja, thotë se çelësi i këtij suksesi të skuadrës së tij është grupi i bashkuar.

‘Xhebrailat’ nën urdhrat e Dajës fituan me rezultat 2:0, ku Almir Kryeziu dhe Walid Hamid shënuan golat, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Fadil Vokrri.

“Si grup kemi bërë shumë histori në këto dy vite që po marrim pjesë në garat evropiane dhe paraqitjet e duhura, kanë një emërues të përbashkët. Janë djemtë që kanë shumë elemente pozitive. Ulin diferencën për shkak të karakterit që tregojnë në fushën e lojës. Ata janë fituesit. Të gjithë bashkë po luftojmë për suksesin që e kemi. Me ekipe si Dinamo natyrisht se nuk mund të bësh një lojë kaq brilante sepse kanë goxha eksperiencë. Këtë lloj diference ne e zbusim dhe e ngushtojmë me faktin që jemi grup dhe të gjithë bashkë luftojmë. Luftojnë ata që janë në fushë, ata në bankinë dhe ne që jemi nga prapa”, tha trajneri Daja pas ndeshjes për Klan Kosova.

Daja tregoi se si u përgatiten për ta mposhtur kundërshtarin e sotëm.

“Ne kishim studiuar kundërshtarin dhe pavarësisht rezultatit 2:0, është skuadër që duhet respektuar në maksimum për shkak të vlerave që ka. Dinamo ka pika të forta me disa lojtarë. Ne sollëm një mënyrë loje që pikat e forta të tyre t’i neutralizonim. Kjo është pozitive, por pa karakterin e lojtarëve që unë drejtoj, nuk do të mund t’i arrinim këto suksese”, tha trajneri shqiptar për fund.

Lajme të ngjashme