Ilir Avdyli: Ndjenjë e veçantë dhe privilegj të jesh pjesë e Kombëtares së Kosovës
Në listën e Kombëtares së Kosovës janë dy futbollistë që nuk kanë qenë më herët të grumbulluar që nga pranimi i Dardanëve në UEFA dhe FIFA, dhe njëri nga ata është portieri i Llapit, Ilir Avdyli që thotë se është privilegj për të të jetë pjesë e kombëtares.
Drilon Hazrollaj dhe Ilir Avdyli janë të dy për herë të parë në grumbullim dhe iu bashkohen dy lojtarëve të tjerë nga Superliga e Kosovës, Ilir Krasniqi e Lumbardh Dellova.
Avdyli tregoi se është pritur shumë mirë nga shokët e skuadrës dhe shpreson në rezultate të mira në ndeshjet miqësore të marsit.
"Është shumë privilegj i madh me qenë pjesë e grumbullit të Kombëtares së Kosovës dhe për mua është ndjenjë shumë e veçantë. Pritja prej djemve ka qenë shumë e mirë dhe po shpresojmë me pas rezultate të mira në këto ndeshje miqësore."
Portieri i Llapit tregoi se kishte qenë edhe më herët pjesë e Kosovës, por që atë kohë sipas tij është ndryshe dhe dallon shumë me kohën e sotshme.
"Shumë pritje e mirë. Kam qenë pjesë e Kosovës edhe para shtatë vitesh, por atëherë nuk kemi qenë të pranuar në UEFA dhe FIFA ku nuk bënim gara, tani është krejtësisht çështje tjetër, tash është kombëtarja konkurruese dhe normal përgatitemi për ndeshjen e Ligës së Kombeve, për të parë se ku jemi, formën e secilit."
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy miqësore gjatë këtij muaji, që do të jenë të parat në krye me trajnerin e ri Franco Foda. Fillimisht udhëtojnë te Armenia për takimin e 22 marsit, ndërsa më 26 mars luajnë kundër Hungarisë.