Ibrahimovic: Frymëzimi im i vërtetë është Muhammad Ali - NACIONALE

Ibrahimovic: Frymëzimi im i vërtetë është Muhammad Ali

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zlatan Ibrahimovic ka dhënë një prononcim nga “Globe Soccer Awards” në Dubai, ku po merr pjesë. Ai ka folur për shumë gjëra, duke prekur shumë tema. Sulmuesi suedez tregoi edhe kë ka si model për t’u ndjekur nga sportistët.

Sipas tij pasioni është krucial për një futbollist, sepse në të kundërtën humb shkëlqim. Ai përmendi edhe një figurë emblematike të sportit të cilin e konsideron si inspirim të vërtetë.

“Kur humb humb pasionin, humb disiplinën. Inspirimi im i vërtetë është Muhammad Ali, por nëse më duhet të zgjedhi një futbollist model, atëherë do thoja Ronaldo, ‘Fenomeni’, sepse ka bërë që ta kisha pasion futbollin”
, tha ai.

Për momentin vazhdon të mos japë shenja të pensionimit nga futbolli sulmuesi Ibrahimovic. Ai vazhdon të ushqehet me të njëjtin pasion për futbollin. Kështu të paktën deklaroi vetë nga Dubai.

“Pasioni është elementi që të shtyn që të ecësh përpara. Jam 41-vjeç dhe nëse nuk do të kisha pasion nuk do të mund të mbijetoja. Gjithçka ikën shpejt. Unë duhet të punoj gjithmonë fort, të ushtrohem dhe të rikuperohem. Pasion, pasion, pasion”
, tregoi ai.

Evoluimi i futbollit sipas Ibrahimovic

Ibrahimovic ka luajtur në liga të ndryshme. Ka provuar shumë përvoja: nga Eredivisie, te Serie A, La Liga, Premierliga dhe MLS. Evoluimin e futbollit e ka ndier ndër vite. Ai beson që futbolli sot mund të përkufizohet me përgatitje fizike dhe shpejtësi.

“Futbolli po bëhet gjithmonë më i shpejtë dhe më fizik. Sa më shumë që shkon duke u vjetëruar në moshë është e natyrshme se humb diçka. Mirëpo, nëse arrin të mbahesh në formë, pastaj atë që e humb në shpejtësi e rikuperon në inteligjencë të fituar”, pohoi ai.

Ai mendon se lojtarët e rinj duhen që ta zgjedhin një model për ta ndjekur. Këtë e sheh si hap të domosdoshëm për zhvillimin e mëtejm të tyre si futbollistë.Dhe, për këtë mendon se gjenerata e vjetër duhet të shërbejë si shembull për ta.

“Gjenerata e re e futbollistëve duhet ta ndjekin një model dhe ta zgjedhin një shembull. Duhet të jesh një shembull jo vetëm duke folur, por edhe me fakte. Pa fakte, humb besim”, theksoi ai.

Ibrahimovic është duke luftuar që të rikthehet sa më parë në fushën e blertë pas një lëndimi të rëndë që po vuan në muajt e fundit. 41-vjeçari theksoi se ka shumë vullnet që të rikthehet për ta ndihmuar ekipin e Milanit. Synimi i tij i qartë është që të jetë në gatishmëri të skuadrës për sfidën e 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve ndaj Tottenhamit, që do të zhvillohet në shkurt.

Lajme të ngjashme