I lëkundet pozita e titullarit në klub, Astrit Selmani: Le ta marrin kë të duan
Sulmuesit me prejardhje nga Mitrovica, Astrit Selmani, pritet t'i rritet konkurrenca në ekipin e tij, Hammarby. Ai tashmë rrezikon të mos ndihet i paprekshëm. Drejtuesit e klubit suedez janë në gjuheti për afrimin e një sulmuesi të ri para mbylljes së afatit kalimtar të futbollistëve në Suedi, çka do të bënte që sulmuesit dardan t'i lëkundej statusi prej titullarit.
Në pritje të fillimit të edicionit të ri të kampionatit suedez, ekipi i sulmuesit kosovar Selmani, Hammarby, po shqyrton mundësinë që në radhët e veta të sjellë edhe një tjetër sulmues. Gjatë sezonit të kaluar Astrit Selmani u konsiderua si i paprekshëm, kur ndër të tjera regjistroi 26 paraqitje në kampionat, me ç'rast shënoi 9 gola dhe u përfshi me asiste në 6 gola tjerë.
Karakteristikat e tij si lojtar bëjnë që ai të dallojë prej sulmuesve klasikë, pasi angazhimi që bën për skuadrën, kilometrat që vrapon në fushë në ndihmë të bashkëlojtarëve kur ekipi kundërshtar vihet në sulm, ndikojnë që ai mos të jetë tërësisht i ekspozuar para portës kundërshtare gjatë tërë kohës, por të shërbejë si lojtar i lirë që ndihmon kompaktësinë në të dy fazat e lojës, si në atë ofanzive, ashtu edhe në atë defanzive.
Veçori që i atribuohen në superlativ nga komentatorët dhe ndjekësit e kampionatit suedez. Para nisjes së edicionit të ri, duket që Hammarby synon që të shtojë të tjera cilësi në repartin sulmues, që kanë shtyrë deri në hapjen e një debati të ri në opinionin futbolldashës suedez, nëse Astrit Selmanit po i rrezikohet pozita e titullarit si i paprekshëm.
Sulmuesi dardan për shtypin suedez nuk ngurroi të prononcohet në lidhje me këtë temë, ku shtoi: "Ata (drejtuesit e klubit) mund të marrin kë të duan. Unë kam kontribuar me golat dhe asistet e mia. E di çfarë bëj në fushë!"
Sulmuesi 24 vjeçar u shfaq besimplotë në cilësitë e tij kur u pyet nëse po ndihet i qetë: "Gjithmonë ka të bëjë me përformancën. Pavarësisht gjithçkaje, gjithnjë duhet të përformosh në nivel të duhur. Kur shikoj statistikat e mia për kontributin që kam dhënë me gola dhe asiste, ndihem mirë. Pavarësisht konkurrencës, thjesht dëshiroj të kontribuoj edhe më shumë", theksoi ai.
Afati kalimtar i transferimeve të lojtarëve në Suedi përfundon më datën 31 mars. Deri më tani raportohet që Hammarby është shumë afër ta zyrtarizojë blerjen e kartonit të sulmuesit të kombëtares së Gambisë, Bubacarr Trawally.
Pse i rrezikohet pozita e titullarit Astrit Selmanit?
Trajneri spanjoll i ekipit suedez, Marti Cifuentes, së fundmi po aplikon në fushë modulin e lojës 4-3-3. Astrit Selmani në këtë rreshtim po përdorët si sulmues qëndror, ndërsa në pozitën e sulmuesit anësor të majtë (ku ndër të tjera me raste di dhe mund të luajë edhe Selmani, duke përfshirë edhe pozitën e sulmuesit të dytë në 4-4-1-1) po preferohet lojtari suedez, Gustav Ludwigson.

Kjo bën që konkurrenca për një vend titullari në pozitën e qendërsulmuesit do të ishte e hapur mes Astrit Selmanit dhe sulmuesit të ri që është në prag të zyrtarizimit, Bubacarr Trawally.
Astrit Selmani te Kosova, aset i paeksploruar
I grumbulluar nga kombëtarja dardane në muajin shtator të 2021-es, ai ishte vetëm pjesë e bankës rezervë, pasi dokumentacioni nuk iu plotësua me kohë, duke bërë kështu të pamundur t'i shijonte minutat në fushë me Kosovën në kuadër të tri ndeshjeve që zhvillonim gjatë atij muaji, me Gjeorgjinë ku fituam me rezultat 0 me 1, Greqinë ku barazuam me rezultat 1 me 1, si dhe Spanjën ku u mposhtëm me rezultat 0 me 2. Për ta parë atë me fanellën e kombëtares sonë është dashur të pritet 9 tetori i vitit të kaluar, kur luajtëm ndaj Suedisë si mysafir.
Përkoi pikërisht ajo ndeshje ndaj kombëtares së nje vendi që e formësoi si njeri dhe futbollist, që ai ta bënte debutimin me Kosovën si zëvendësues në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Ai për asnjë moment nuk gjeti minuta të plota as në dy ndeshjet në vazhdim, pasi ish-përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, preferonte të luante vetëm me Vedat Muriqin dhe pa një qendërsulmues që do t'i vinte në ndihmë duke krijuar tandem të përbashkët. Megjithëse, thënë konkretisht dy ndeshjet e fundit ndaj Gjeorgjisë dhe Greqisë, përkundër minutazhit të vogël, nuk i mundësuan tifozëve kosovarë që të njiheshin më nga afër me kualitetet e tij.

Aq më shumë kur ishte mu ndeshja ndaj Gjeogjisë në Prishtinë, që ishte njëherit edhe e fundit nën drejtimin e Bernard Challandes, ku humbëm me rezultat 1 me 2 dhe Astrit Selmani shpërdoroi një rast të volitshëm para portës, duke bërë që të mos barazonim rezultatin dhe tërthorazi stafi teknik i Kosovës ta përdorte si justifikim mungesën e minutave më të mëdha për të, me rastin që iu dha dhe nuk u tregua klinik para kuadratit të portës kundërshtare.
Në situatën e tanishme gjithçka është në autoritetin e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse, të përcaktojë se ku mund të jetë më i dobishëm në fushë ai dhe sa minuta mund t'i besohen atij në ndeshjet në vazhdim që i ka në kalendar kombëtarja jonë, duke filluar me dy të parat që luhen këto ditë, atë të nesërmen (24 mars) ndaj Burkina Fasos në Prishtinë dhe Zvicrës në udhëtim, më 29 mars.