Hetuesit britanikë dyshojnë se mafia shqiptare u përfshi në kartonin e verdhë të Granit Xhakës - NACIONALE

Hetuesit britanikë dyshojnë se mafia shqiptare u përfshi në kartonin e verdhë të Granit Xhakës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hetuesit britanikë, që po e hetojnë ndëshkimin e Granit Xhakës me karton të verdhë në fitoren e Arsenalit kundër Leeds sezonin e kaluar në Premireligë, dyshojnë se mafia shqiptare dhe një ish-futbollist profesional shqiptar i dënuar për kurdisje ndeshjesh, mund të jenë përfshirë.

Federata Angleze nisi hetim ndaj Xhakës për kartonin e çuditshëm që ai e mori duke humbur kohë dhjetorin e kaluar, i cili tani i ka kaluar Agjencisë Kombëtare kundër Krimit, e cila merret me luftimin e krimit të organizuar dhe krimeve serioze.

Hetimi ndaj Xhakës nisi pas dyshimeve se ishin vënë baste të dyshimta kah fundi i fitores së Arsenalit 4:1 në Elland Road, përfshirë vënien e një basti prej 52 mijë funtesh që Xhaka të ndëshkohej me karton të verdhë në 10 minutat e fundit të ndeshjes.

Xhaka u ndëshkua nga gjyqtari Andre Marriner në minutën e 86-të sepse po e zvarriste rivënien e topit në lojë, pavarësisht faktit se Arsenali po fitonte 4:1 dhe e kishte lojën plotësisht nën kontroll.

Xhaka po qëndronte pranë topit mbrapa në fushën e vet për rreth 20 sekonda, para se gjyqtari ta ndëshkonte për humbje kohe.

Shuma e lartë e parave e vënë në bast për kartonin e Xhakës e ka nxitur nisjen e hetimeve ndaj mesfushorit shqiptar të Zvicrës.

Sipas tabloidit britanik Dailymail, hetuesit kanë zbuluar prova të shumave të mëdha në kriptovaluta në tregje që s’janë të rregulluara në Angli. Besohet se shumica e aktiviteteve kanë ndodhur në Shqipëri.

Hetuesit janë duke i shqyrtuar edhe pretendimet se Alban Jusufi, një sulmues shqiptar në Suedi, i pezulluar për pesë vjet për kurdisje ndeshjes nga gjykata suedeze më 2017, kishte vënë bast para të majme që Xhaka të ndëshkohej.

41-vjeçari ishte shpallur fajtor për shkak se i kishte dhënë 150 mijë funte ryshfet portierit të AIK, Kyriakos Stamatopoulos, për të luajtur dobët në derbi kundër IFK Gothenburg në vitin 2017. Federata suedeze e kishte shtyrë ndeshjen pasi ishte raportuar kurdisja.

Xhaka, i cili pritet të luajë për Arsenalin sonte në mbrëmje në ndeshjen hapëse të sezonit të ri në Premierligë, u lind në Basel nga prindër shqiptarë nga Kosova por luan për Zvicrën.

Lajme të ngjashme