Harry Maguire: Ne vërtet besojmë së mund ta fitojmë Botërorin
Anglia vërtet beson se mund ta fitojë Kupën e Botës, për dallim nga vitit 2018 kur i mungoi vetëbesimi, thotë qendërmbrojtësi Harry Maguire.
Skuadra e Gareth Southgate arriti në gjysmëfinale të Botërorit në Rusi para katër viteve dhe tani përballet me Francën në çerekfinale në Katar të shtunën.
Fitorja do të nënkuptonte se Anglia do të përballej me Portugalinë apo Marokun për një vend në finale, që do të ishte e para që prej vitit 1966.
Pasi e arriti finalen e Kampionatit Evropian 2020, Maguire thotë se në mendësitë e lojtarëve anglezë ka një ndryshim pozitiv që prej atëherë.
“Mendoj se një gjë që mund ta them është se ka shumë dallime nga skuadra e vitit 2018 me skuadrën e tanishme. Mendoj se tani ne vërtet besojmë se është e mundur (të fitojmë Botërorin)”, tha kapiteni i Manchester Unitedit.

“Unë luajta në vitin 2018 ku arritëm deri në gjysmëfinale dhe mendoj se shumë prej djemve ishin të lumtur. Ishim të lumtur që arritëm në gjysmëfinale”.
“Mendoj se tani ekziston një besim se ne duhet ta fitojmë këtë turne. Është një ndryshim i mirë në mendësinë tonë”, nënvizoi ai.
“Natyrisht se e dimë sa e vështirë do të jetë. Pesë apo gjashtë ekipe mbase e kanë vetëbesimin e njëjtë. Por në vitin 2018, ne nuk ishim në mesin e ekipeve që e kishin atë vetëbesim. Tani janë pesë apo gjashtë skuadra e atë vetëbesim dhe ne jemi një ndër to”, shtoi ai.
Maguire, 29 vjeç, luajti titullar në secilën ndeshje të Anglisë deri tani këtë Botëror, pavarësisht se për klubin nuk kishte luajtur aq këtë sezon.
Paraqitjet e tij në Katar e kanë shpaguar besimin e trajnerit Southgate në të, por Maguire thotë se vetëbesimi është diçka që nuk i ka munguar kurrë.

