Anglia "arrë e fortë" për Senegalin, "Tre Luanët" prekin çerekfinalen ku i pret Franca - NACIONALE

Anglia "arrë e fortë" për Senegalin, "Tre Luanët" prekin çerekfinalen ku i pret Franca

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Anglisë ka kompletuar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës "Katar 2022", duke eliminuar Senegalin.

"Tre Luanët" zhvilluan lojë të bukur duke fituar në fund me rezultat 3:0, duke siguruar avancimin në fazën çerekfinale.

Senegali në fakt ishte shumë më e mirë në fillimin e pjesës së parë, duke pasur disa raste të shkëlqyeshme, ku u mungoi finalizimi i tyre.

Ismaila Sarr dhe Boulaye Dia provuan nga afërsia, por Jordan Pickford mahniti të gjithë me disa super pritje.

Kur askush nuk e priste, Anglia krijoi një aksion të shkëlqyer me Jude Bellingham që gjeti të 'harruar' Jordan Hendersonin, i cili shënoi nga afërsia për të vendosur anglezët në epërsi (38').

Ndërsa, në përfundimin e pjesës së parë, Harry Kane shënoi golin e dytë, apo të 'qetësisë' me një goditje fantastike pas një asistimi të Phil Foden (45+3').

Anglia e nisi edhe më mirë pjesën e dytë, ku pas një aksioni shumë të shpejtë, Foden asistoi për mrekulli te Bukayo Saka, me këtë të fundit që bëri një parabolë të shkëlqyer për rezultatin 3:0.

Deri në fund, të dy kombëtaret kishin edhe disa raste të mira shënimi, mirëpo u mungoi finalizimi i tyre.

Kësisoj, Anglia siguron kualifikimin tutje duke u bërë skuadra e katër që mbërrin në çerekfinale, aty ku do ta pres kampioni në fuqi, Franca, e cila ditën e diele eliminoi Poloninë.

Deri me tani janë mësuar dy çifte çerekfinaliste, pra: Holandë – Argjentinë dhe Francë – Angli.

Lajme të ngjashme