Harry Kane lë të hapur mundësinë e rikthimit në Premierligë
Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në Premierligë meqenëse dëshiron të luajë edhe shtatë apo tetë vite në nivelin e lartë.
Pas shumë viteve te Tottenham, anglezi kaloi te Bayern Munich në një marrëveshje që kushtoi mbi 100 milionë funte.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, Kane ka treguar se çfarë e bindi për të zgjedhur Bayernin duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në kampionatin anglez.
“E di se kur mbush 30 vjeç si futbollist njerëzit mendojnë se ka përfunduar. Por, dua të luaj në nivelin e lartë për shtatë apo tetë vite”.
“Shembulli i Cristiano Ronaldos, Lionel Messi, Karim Benzema ose Lewandowski e tregon se është e mundur të arrish paraqitje të shkëlqyera. Vendimi për t’iu bashkuar Bayernit nuk ishte presion, por bindje”.
“Mendoj se ishte koha e duhur në karrierën time, të luftoj për tituj, për Ligën e Kampionëve. Të luaj në një klub gjigant është sfidë e madhe. Mendoj pak për ligën dhe më shumë për Bayernin. Si mund të përmirësohem? Bavaria është situata perfekte për mua”.
Tutje, anglezi tregoi se e ka ndjekur gjithnjë Bayern Munichun qoftë në kampionatin gjerman, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
“Gjithmonë e kam ndjekur Bayernin në Ligën e Kampionëve, përfshirë në ndeshjet e Bundesligas. Si profesionist, më pëlqen të shoh ndeshjet e skuadrave të mëdha, përfshirë Bayernin. Bisedova edhe Thomas Tuchel, më tregoi sistemin që dëshiron të luajë”.
“Me lojtarë si Leroy Sane, Kingsley Coman ose Serge Gnabry jashtë, një skuadër mund të sulmojë shpejtë që më lejon të jem më në qendër. Mund të adaptohem. Edhe pse stilet e lojës te Anglia dhe Tottenham ishin ndryshe asnjëherë s’ishte problem për mua”.