Guild ndahet me Bad News Eagles, shpërbehet ekipi kosovar
Pavarësisht faktit që momentalisht janë duke luajtur për skuadrën Guild Eagles në Res Adriatic, ata tashmë kanë ndarë rrugët me organizatën britaneze.
Guild Esport njoftoi se po ndërpritet bashkëpunimi, ndërsa nuk vonoi edhe Rigon 'rigoN' Gashi ku tha se po largohet nga ekipi, e fillimisht u mendua se vetëm ai, por më vonë reagoi edhe Flatron 'juanflatroo' Halimi, si dhe Genc 'gxx-' Kolgeci, për t'u konfirmuar se ekipi po shpërbëhet.
Skuadra kosovare, nën emrin Bad News Eagles, arriti në qendër të vëmendjes në vitin 2022 kur u kualifikua për PGL Major në Antwerp nga kualifikimi i hapur dhe arriti deri në fazën e Legends të turneut.
Të njohur për shpërthimet e tyre emocionale në momente të mëdha, vazhdoi të luajë edhe dy gara të tjera: IEM Rio, ku eliminuan ekipin me famë FaZe në një ndeshje eliminimi të fazës së grupeve, e gjithashtu humbje kësaj organizate i shkaktuan edhe në BLAST.tv Paris.
Në nëntor 2023, ekipi nënshkroi me GUILD, duke u bërë Guild Eagles, por ata nuk arritën të lënë gjurmën e tyre nën organizatën britanike.
Mungesa e PGL Major në Kopenhagë në fillim të vitit ishte një goditje e madhe për një ekip të njohur për shpërthime në momente të mëdha, por dështuan edhe në mjedise më të ftohta, si janë lojërat online, ku së fundmi ata kanë kaluar shumicën e kohës duke luftuar me rezultate mediokre.
Skuadra kosovare momentalisht po fiton 1:0 ndaj organizatës serbe INation për kualifikim në kualifikimet e mbyllura për ESL Pro League të sezonit 20.