Guardiola thotë se City e ngjalli Liverpoolin në luftën për titull, Kloppi këmbëngul se s’do të dorëzohet
Pep Guardiola ka thënë se Manchester City e ngjalli Liverpoolin në garën për titull në Premierligë duke barazuar 2:2 me të, derisa Jurgen Kloppi këmbënguli se skuadra e tij nuk do t’i hiqet nga qafa kampionit në fuqi, i cili vijon të prijë me një pikë më shumë kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në përfundim të sezonit.
City kaloi dy herë në epërsi falë golave nga Kevin De Bruyne dhe Gabriel Jesus, por të kuqtë u rikthyen në të dy rastet për ta barazuar rezultatin secilën herë përmes Diogo Jotas dhe Sadio Manes të dielën në Etihad.
Skuadra e Guardiolës e kishte mbizotëruar atë të Kloppit në pjesën e parë, por vizitorët bënë lojë mahnitëse pas pushimit mes pjesëve.
Guardiola tha pas ndeshjes: “Ndiej se ne i lejuam ata të ringjallen nga këtu, por është kënaqësi ta shohësh Liverpoolin duke luajtur. E di sa i fortë është dhe këtu nuk ka dyshim, unë jam shumë krenar me ekipin tim. I thashë ekipit: ‘Nuk e dua asnjë çast trishtimi’”.

Guardiola beson se skuadra e tij duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura.
“Ne tani e dimë se nëse lëshojmë pikë në një ndeshje, nuk do të jemi kampionë. A do të jetë e lehtë? Patjetër që jo, por edhe për ata do të jetë e vështirë”, tha katalonasi.
Ndërkohë, Kloppi e krahasoi këtë ndeshje me boksierët e kategorisë së rëndë.
“Çfarë ndeshje! E egër. Mund ta përshkruajmë si një luftë boksi. Po i mbajte dy duart poshtë për një çast, pëson nokaut masiv”, tha Klopp.
“Desha të sigurohem që ata ta kuptojnë se djelmoshat e mi janë të jashtëzakonshëm po ashtu dhe këtë e pashë sot dhe jam shumë i lumtur për këtë. Tani i kemi shtatë ndeshje deri në fund, të dy ekipet. Ne nuk do të ndalemi duke i ndjekur ata tani. Kjo është e qartë. Por tani i kemi dy gara të vështira”, shtoi gjermani.
City duket ta ketë një orar më të lehtë, pasi do të përballet me Brighton, Watford, Leeds, Newcastle, West Ham dhe Aston Villa, plus një ndeshje të mbetur me Wolves. Ndërsa Liverpooli do të ballafaqohet me Manchester United, Everton, Newcastle, Tottenham, Villa, Southampton dhe Wolves.