Guardiola s’e ftoi ndaj Liverpoolit yllin e skuadrës për shkak se u rikthye në mbipeshë pas Kupës së Botës
Pep Guardiola la të habitur të gjithë kur vendosi të mos e ftonte fare Kalvin Philips për ndeshjen e Kupës Carabao kundër Liverpoolit, të cilën e fitoi 3:2. Mungesën e tij e shpjegoi me të qenët në mbipeshë.
Trajneri katalonas, Pep Guardiola, edhe një herë ka treguar se është fare i rreptë në kërkesat që ka ndaj lojtarëve. Të enjtën zgjoi kuriozitet mungesa e mesfushorit anglez Philips. Të gjithë prisnin se ai do të ishte në mesin e të ftuarve.
Njësoj nuk vendosi edhe trajneri i kampionit në fuqi. Përkundër hamendësimeve dhe zërave që qarkulluan për një lëndim të mundshëm, arsyetimi doli të jetë krejt tjetër.
“Ai nuk është i lënduar, por erdhi në mbipeshë”, tha Guardiola duke iu referuar pauzës pas Kupës së Botës.
Një përgjigje që menjëherë nxiti gazetarët në konferencë për shtyp që ta pyesnin trajnerin e Manchester Cityt se përse ka ndodhur një gjë e tillë.
Mirëpo, ai me një përgjigje koncize shpjegoi gjithçka: “Nuk e di. Nuk ka ardhur në kushtet e duhura për t’u stërvitur dhe për të luajtur.”
Sezon i vështirë për Philips
Kujtojmë se Philips ishte në mesin e të ftuarve nga përzgjedhësi Southgate në Kupën e Botës që u zhvillua në Katar. Për dallim nga Evropiani 2020, kësaj radhe ai nuk u preferua që të luante në tandemin e mesfushës me Rice. Në vendin e tij në shumicën e rasteve luajti mesfushori dhe kapiteni i Liverpoolit, Henderson.
Mesfushori 27-vjeç vetëm në dy ndeshje arriti që të kishte ngapak minuta në fushë. Që në të dy rastet hyri si zëvendësues. Bëhet fjalë për ndeshjet ndaj Uellsit dhe Senegalit.
Për t’i siguruar shërbimet e tij, Manchester City në afatin kalimtar veror të këtij viti pagoi hiç më pak se 49 milionë euro. Pikërisht forma e mirë e treguar në Evropianin e fundit me Anglinë ndikoi që edhe çmimi i kartonit të tij të rritej ndjeshëm.
Kësisoj, ai nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare me kampionin në fuqi anglez. Megjithatë, nuk mund të thuhet se sezoni i ri ka qenë fatlum për të.
Lëndimi në shpatullë që pësoi para se të fillonte sezoni në Premierligë ndikoi tej mase që të mos ambientohej në formë të mirëfilltë me t’u rikthyer në gatishmëri të trajnerit Guardiola, pasi edhe nuk pati fare kohën e duhur për ta bërë një gjë të tillë.
Për të mos rrezikuar që të jetë pjesë e kombëtares në Kupën e Botës, ai nuk u rikthye fare të ishte pjesë e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e Manchester Cityt që kishte deri në gjysmën e muajin nëntor.
Sidoqoftë, tani duhet t’i bëjë llogaritë edhe me këtë problem të fundit, më saktësisht të mbipeshës. Ky nuk është një precedent i ri për Guardiolan. Masa të tilla rigoroze kishte aplikuar edhe më parë në skuadrat që kishte stërvitur ndaj lojtarëve që ishin evidentuar se kishin shtuar peshë më tepër seç duhej.

