Guardiola: Nuk ka rëndësi kush është favoriti, kam optimizëm
Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola thotë se nuk ka rëndësi kush është favoriti, derisa ka optimizëm për përballjen me Real Madridin.
City e pret Realin në “Etihad” në kuadër të play-offit të Ligës së Kampionëve, sfidë që zhvillohet të martën mbrëma.
Në konferencë për media, Guardiola konfirmoi se ka optimizëm por pret një sfidë të vështirë ndaj “Los Blancos”.
“Janë pak skuadra në Evropë që e kanë historinë e Madridit, është gjithnjë vështirë. Nuk kemi bërë mirë në grupe, prandaj e meritojmë të jemi këtu”.
“Presioni? Nuk e di, dy skuadrat kanë pasur probleme me lëndime... ata ndoshta e kanë menaxhuar më mirë sepse janë lider. Këtë sezon ka klube që po luajnë në mënyrë fantastike, si Barcelona, por Reali është lider”.
“Nuk ka rëndësi nëse ndeshja e parë është vendas ose mysafir. Përpos 10 ose 15 minutat e parë, pjesa e mbetur zhvillohet njëjtë. Skuadra jonë ka diçka të veçantë dhe shpresojmë ta tregojmë nesër”.
“Është me rëndësi të qëndrojmë në këtë kompeticion. Çdo sezon është vështirë, ky sezon ka qenë më i vështirë dhe më pëlqen që çdo javë jemi këtu. Tani nuk e di si do të luajmë, kam dyshime për formacionin bazë, por ndihem optimist”.
“Favoriti? Si të doni. E dimë se kjo ndeshje do të jetë e vështirë. Bën pak ndryshim nëse je favorit ose jo”.
Kujtojmë, përballja zhvillohet të martën me fillim nga ora 21:00