Granit Xhaka, i paprekshëm në Arsenal - NACIONALE

Granit Xhaka, i paprekshëm në Arsenal

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenali nuk do ta mendojë largimin e Granit Xhakës këtë verë, sepse mesfushori kosovar i Zvicrës vlerësohet si i paprekshëm nga trajneri Mikel Arteta.

Ka pasur thashetheme se Xhaka mund të largohet nga Emirates, pasi Arsenali ishte i gatshëm t’i dëgjonte ofertat për të.

Kohëve të fundit u raportua në mediat britanike se 30-vjeçari, i cili vlerësohet se kushton 32 milionë euro, mund të shitej për të hapur rrugë për ardhjen e Moises Caicedo nga Brightoni apo Declan Rice nga West Hami.

Megjithatë, Xhaka mbetet njëri nga lojtarët e padiskutueshëm në skuadrën e Artetës edhe për sezonin e ardhshëm.

Karriera e Xhakës në Emirates ka kaluar nëpër shumë ndryshime qëkur trajneri i atëhershëm Arsene Wenger e bleu nga Borussia Monchengladbach në korrik 2016.

Ai e preku fundin në vitin 2019, kur u fishkëllye nga tifozët e vet në një ndeshje kundër Crystal Palace dhe si pasojë u shkarkua nga detyra e kapitenit të skuadrës dhe ishte buzë largimin në mënyrën më të keqe të mundshme.

Por Xhaka ia ka dalë t’i ndreqë marrëdhëniet me tifozët dhe me klubin dhe tani është bërë si një hero në mesin e tifozëve.

Xhaka u bë shumë i rëndësishëm nën udhëheqjen e Artetës

Vërtet Xhaka është bërë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit në luftën kokë më kokë me Manchester City për titull në Premierligë këtë sezon, duke i shënuar shtatë gola dhe duke i dhënë pesë asiste deri tani këtë sezon.

Rëndësia e Xhakës në sytë e Artetës është e qartë, pasi i dha rol të lirë në mesfushë dhe e bëri zëvendëskapiten.

Xhaka e zbuloi kohë më parë se Arteta e kishte bindur të qëndronte në Arsenal kur ai e kishte ndarë mendjen të largohej.

Duke e lartësuar trajnerin spanjoll, Xhaka kishte thënë: “Ishte një person, emri i tij është Mikel Arteta, unë do ta përkrah atë pavarësisht se çfarë ndodh”.

Marrëveshja e tanishme e Xhakës me Arsenalin mbaron në verën e vitit 2024 dhe ai është në radhë për ta vazhduar atë, pas Bukayo Saka, William Saliba dhe Aaron Ramsdale, të cilët kanë nënshkruar tashmë./Nacionale/

Lajme të ngjashme