Granit Xhaka beson ende në titull: Gjithçka është në dorën tonë
Granit Xhaka ka këmbëngulur se Arsenali ka ende mundësi ta fitojë Premierligën, pavarësisht se lëshoi përsëri pikë në mënyrë demoralizuese në dy ndeshjet e fundit.
Barazimi i së dielës 2:2 me West Hamin ishte i ngjashëm me atë kundër Liverpoolit një javë më parë dhe kjo është hera e parë në historinë e Arsenalin që dështon t’i fitojë dy ndeshje radhazi në të cilat kishte krijuar një epërsi prej dy golave.
Epërsia e topçinjve në krye të tabelës në Premierligë është zvogëluar në vetëm katër pikë tani ndaj rivalit për titull Manchester City, i cili, për më tepër, e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
“Nuk është shkaku i mendësisë, jo”, tha Xhaka pasi Arsenali dështoi të fitojë përsëri, edhe pse kishte epërsinë prej 2:0 në London Stadium.
“Je në epërsi 2:0, e falë lojën. Ky është futbolli. Mund të shënosh për 3:1, por pesë minuta më vonë pranon gol dhe bëhet 2:2. Mendoj se kur shkuam 2:0, ndaluam lojën paksa. Pse? Nuk e di. Ndodhi ngjashëm si me Liverpoolin”, nënvizoi mesfushori nga Kosova.
Xhaka e pranoi së Arsenali po pranon gola shumë lehtë tani, por këmbënguli se nuk ndihet i merakosur.
“Duhet ta shohim lojën, ta analizojmë dhe të shohim pse kjo ndodhi d herë radhazi. Nuk brengosem shumë. Mendoj se jemi në pozitën e duhur”.

Përballja e Arsenali me Manchester City më 26 prill do të jetë edhe më vendimtare në garën për titull tani pas lëshimeve të skuadrës së Mikel Artetës.
“Në rregull është. Ne nuk i shikojmë ata”, theksoi Xhaka për përballjen me City.
“Nëse diçka nuk shkon mirë, është e lehtë ta drejtosh gishtin kah dikush tjetër. Tani është koha të jemi së bashku. Edhe shtatë ndeshje deri në fund. E pranuam këtë sfidë deri më tani dhe duhet ta vazhdojmë”.
Ai shtoi: “Unë nuk jam i zemëruar. Jam i zhgënjyer, natyrisht. Ne e kishim mundësinë sot për t’i marrë tri pikët pasi krijuam epërsinë 2:0. Ky është futbolli. Nuk i fiton ndeshjet nëse nuk luan mirë 90 minuta. Sot nuk e bëmë këtë. Por ende është gjithçka në dorën tonë. Nëse i fitojmë ndeshjet e ardhshme, ju e dini çfarë ndodh”.
Saka kishte mundësinë ta dyfishonte përsëri epërsinë e Arsenalit, pasi West Hami e kishte shënuar golin e parë, por ai dështoi nga penalltia.
Xhaka thotë se sikur Arsenali të ketë penallti të premten kundër Southamtonit, atëherë do ta nxiste 21-vjeçarin të gjuajë përsëri.
“Nëse të premten kemi penallti, unë do ta shtyj atë (Saka) të gjuajë penalltinë. Ky djalosh është shumë i ri. Ai është i fortë mendërisht”, përfundoi ai.
