A e konfirmoi Xhaka largimin nga Arsenali me këtë postim falënderues?
Mesfushori kosovar me nënshtetësi zvicerane, Granit Xhaka, do ta luajë sot me shumë gjasë ndeshjen e fundit me fanellën e Arsenalit, pasi ai me anë të një postimi në rrjetin social Instagram, ka bërë një falënderim për topçinjtë, që duket të jetë një lamtumirë.
Javët e fundit u raportua shumë se Xhaka dëshiron të luajë në Bundesligë, madje thuhet se ai ka arritur një marrëveshje me Bayer Leverkusen për katër vitet e ardhshme, lajme këto që marrin më shumë jehonë pas këtij postimi të sotëm.
Në një story që u publikua një orë më parë nga 30-vjeçari, paralajmërohet ndeshja e sotme, që është përballja e fundit e Arsenalit për këtë sezon, kundër Wolverhampton Wanderers, teksa ka bashkangjitur me një shkrim falënderimin dhe titujt e fituar në periudhën e tij me topçinjtë.
“2x Community Shield! Faleminderit topçinjve! 2x FA Cup!” – të bashkangjitura me disa foto të tij me fanellën e Arsenalit.

Kujtojmë se Arsenali luftoi pothuajse deri në fund për titullin kampion këtë sezon në Angli me Manchester Cityn, duke qenë skuadra që kishte kryesimin në renditje më së gjati edhe në histori të futbollit anglez, nga skuadrat që nuk e kanë fituar në fund.
Rol të madh në gjithë këtë, luajti kosovari Xhaka, që në 36 paraqitje këtë sezon, shënoi pesë gola dhe dhuroi shtatë asiste, duke qenë sezoni i tij më i mirë që nga transferimi nga Bundesliga te topçinjtë.

