Granit Xhaka thotë se ka vendosur për të ardhmen
Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, ka thënë se e ardhmja e tij do të vendoset para ndeshjes së fundit të këtij sezoni të dielën.
Arsenali është në bisedime të avancuara për shitjen e Xhakës në Bayer Leverkusen për 15 milionë euro në afatin kalimtar të kësaj vere.
“Për të ardhmen time do të dini më së largu javën e ardhshme”, tha Xhaka për Standard Sport kur u pyet rreth të ardhmes së vet në klub.
Xhaka ka qenë lojtar shumë i rëndësishëm në përpjekjet e Arsenalit për ta fituar titullin në Premierligë sivjet dhe ka vetëm edhe një vit kontratë në Emirates Stadium.
“Mendoj se ata (tifozët) e meritojnë këtë, dhe unë po ashtu. E kemi edhe një javë të fundit në Premierligë për këtë sezon, së pari dua ta shijoj atë dhe, natyrisht, ju do të merrni vesh javën e ardhshme se çfarë ndodh me të ardhmen time”, shtoi ai.

29-vjeçari e ka gjetur formën më të mirë të karrierës këtë sezon dhe ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në luftën e skuadrës së Mikel Artetës për titull deri tani në Premierligë, por do të kalojë në Bundesligë sezonin e ardhshëm për një sfidë të re.
Xhaka pritet të nënshkruajë kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2027 dhe klubi gjermani do t’ia paguajë 15 milionë euro Arsenalit për shërbimet e mesfushorit nga Kosova.
Ai po ashtu ka biseduar disa herë me trajnerin e Leverkusenit, Xabi Alonso, para se ta merrte vendimin final.
Për Xhakën ky do të jetë një kthim në Bundesligë, ku kishte luajtur për Borussia Monchengladbach para se të kalonte në Arsenal.
