Golden Eagle Ylli ia bën 'bajat' Pejës në gjysmëfinale, bëhet finalisti i parë i Ligës Unike
Golden Eagle Ylli është finalisti i parë i Ligës Unike, pasi me rezultat të thellë 91:62 e ka mposhtur Pejën në gjysmëfinale, në një ndeshje që u dominua nga skuadra e Suharekës, sidomos në pjesën e dytë.
Ylli arriti në gjysmëfinale, pasi paraprakisht në çerekfinale e mposhti Tiranën me rezultat 92:56, duke konfirmuar edhe një herë formën e lartë që po kalon kjo skuadër me trajnerin Mijovic.
Suharekasit e filluan pak më mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me tri pikë epërsi 18:15, ndërsa në 10 minutat e dyta të dy skuadrat shënuan pikë të njëjta, nga 20, me pjesën e parë që përfundoi 38:35 në të mirë të Yllit.
Shkëputja filloi në pjesën e dytë. Skuadra e Mijovicit ishte e pandalshme në sulm dhe aplikoi mbrojtje të fortë në anën tjetër.
Çereku i tretë i takoi Ylli me rezultat 29:18, duke çuar epërsinë në 14 pikë.
Ndërsa në 10 minutat e fundit ata u treguan ende më dominues, duke shënuar 24 pikë dhe pranuar vetëm nëntë, për rezultatin përfundimtar 91:62, apo 29 pikë epërsi.
Padyshim lojtari më i mirë i takimit ishte Alonzo Verge Jr që shënoi 34 pikë teksa bëri tetë asistime e katër rebounds, i ndihmuar nga Palokaj me 11 dhe Cole me 14 sosh.
Në anën tjetër te Peja Davis shënoi 19 pikë, Thomas 13 dhe Lejson Zeqiri 12 sosh, që ishin të pamjaftueshme për të evituar humbjen e thellë.
Kjo është fitorja e dytë radhazi e Yllit ndaj Pejës, pasi gjatë këtij muaji e kishte mposhtur edhe në Superligë të Kosovës, por në atë përballje rezultati ishte i ngushtë 73:72.