Globe Soccer Award: Dominon Real Madridi, Vinicius merr çmimin e më të mirit
Dubai sot u kthye në qytetin e ndarjes së çmimeve më prestigjioze të futbollit botëror 'Globe Soccer Award.' Në një ceremoni të madhe, ylli brazilian i Real Madridit, Vinicius Junior, u shpall lojtari më i mirë i vitit 2024.
Ky vendim erdhi pas një sezoni të jashtëzakonshëm të sulmuesit, duke mposhtur konkurrencën e fortë nga Cristiano Ronado e Jude Bellingham.
Vinicius nuk ishte vetëm lojtari më i mirë i vitit 2024, por u nderua edhe me çmimin si sulmuesi më i mirë. Paraqitjet e tij gjatë këtij viti kanë qenë të jashtëzakonshme, me golat e tij vendimtar, duke luajtur rol kyç në sukseset e Real Madridit.
Ai ka dëshmuar se është një nga lojtarët më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe konsiderohet si lider i brezit të ri të futbollistëve.
Një moment tjetër i mirë i natës ishte kur Lamine Yamal u nderua si talenti i vitit.
Ylli i ri i Barcelonës ka shkëlqyer me aftësitë e tij fantastike në fushë, pavarësisht moshës. Ai ka tërhequr vëmendjen në mbarë botën me talentin e tij dhe është një nga futbollistët më premtues për të ardhmen e futbollit.
Ceremonia në Dubai ishte natë e madhe për Real Madridin. Klubi spanjoll u njoh si klubi më i mirë i vitit 2024, duke nënvizuar dominimin e tyre në futbollin evropian dhe ndërkombëtar.
Në krye të suksesit normalisht është Carlo Ancelotti, që u nderua me çmimin si trajneri më i mirë i vitit.
Presidenti i vitit ishte Florentino Perez, që falë vizionit të tij strategjik, ka çuar në një nivel tjetër Real Madridin, që lufton gjithmonë për çdo trofe.
Në anën tjetër, Cristiano Ronaldo, fitoi çmimin e lojtarit më të mirë në Lindjen e Mesme. Edhe pse në moshën 39-vjeçare, ai vazdon të tregojë një nivel të jashtëzakonshëm dhe jo vetëm në fushë.