Gliha flet për përballjen ndaj Zvicrës, tregon nëse Rrahmani ose Korenica do të jenë titullarë
Përzgjedhësi i Kosovës Primoz Gliha ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndonjë risi në formacionin zyrtar.
Në konferencë për media, tekniku slloven deklaroi se situata në grup nuk është aspak e lehtë por jo e pamundur.
“Është një situatë jo e mirë, por jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe jo për të qarë, prandaj kemi provuar ta bëjmë këtë edhe në këto pesë ditë për të mirën e ekipit”.
I pyetur nëse Albion Rrahmani ose Meriton Korenica mund të jenë nga minuta e parë, Gliha nënvizoi se janë të rinj dhe kush do që luan do të ketë përgjegjësi të mëdha.
“Risi me Rrahmanin ose Korenicën si titullarë? Mund të them që të dy janë djem të mirë, që është shumë e rëndësishme por duhet të kemi parasysh se janë të rinj dhe përgjegjësia do të jetë shumë e madhe sidomos ndaj një skuadre si Zvicra. Nuk mund të them ndonjë gjë tjetër por e di se dimë mënyrën si do të luajmë dhe ndoshta mund të kemi ndonjë problem me lëndime prandaj të shohim”.
“Nëse dëshiron të kesh sukses atëherë duhet të punoni nën presion. Nëse gjeni alibi, atëherë mund të themi se ishim nën presion. Mbase ju kujtohet ndeshja ndaj Greqisë, pata thënë para lojës që donim fitore. Nuk e arritëm fitore, por mund ta kishim fituar sepse kishim raste të shumta si Zhegrovës, Vojvodës mirëpo morëm një pikë. Prandaj duhet të shohim gjërat pozitive”.
Kujtojmë, ndeshja e Kosovës ndaj Zvicrës zhvillohet të shtunën më fillim nga ora 20:45.