Gjliani barazon në udhëtim te Drenica, Malisheva e mposht Ferizajn
Sot janë zhvilluar dy ndeshje nga java e tretë e Superligës së Kosovës në futboll, ku janë takuar Drenica – Gjilani dhe Malisheva – Ferizaj. Gjilanasit pas pikëve të plota në dy ndeshjet e para, kësaj radhe është ndalur me një barazim 0:0 në Bajram Aliu, ndërsa malishevasit kanë siguruar pikët e para në këtë sezon kundër ferizajasve, me rezultat 3:1.
Drenica – Gjilani
Gjilani e nisi si më së miri këtë sezon në Superligën e Kosovës, duke fituar dy takimet e para, por në ndeshjen e tretë u ndalën nga Drenica, për të cilët ishte pika e parë këtë sezon.
Takimin më së miri e filluan drenicasit, ku përmes një goditje nga Florent Avdyli nga një distancë e largët tentuan të shënonin, por në vend ishte portieri i Gjilanit, Enea Koliçi.
Rreziku i parë për portën e Drenicës, erdhi në minutën e 23 të takimit, ku Arbnor Ramadani rrezikoi nga gjuajta e lirë, por topi shkoi fare pranë portës së Arlis Shalës.
Pas pesë minutave nga rasti i Gjilanit, gjyqtari kryesor i takimit, Alban Shala, akordoi një penallti, por pas konsultimin me dhomën e VAR-it, vendimi u anulua.
Pak minuta para se të përfundonte pjesa e parë në Bajram Aliu, Gjilani ishte shumë pranë të shënimit të golit të epërsisë, por gjuajtjen e Ramadanit e priti në mënyrë fantastike portieri Shala.
Në vazhdim të takimit u zhvillua lojë me intensitet të ngadaltë dhe monotone nga dy skuadrat, duke mos pasur raste të mira realizimi nga të dy anët. Kështu Gjilani kryeson momentalisht tabelën e klasifikimit, duke grumbulluar shtatë pikë në tre ndeshje, por Llapi, Drenica dhe Prishtina nuk kanë zhvilluar ende ndeshjet e treta.
Malisheva – Ferizaj
Malisheva ka arritur që të marrë pikët e para të plota në javën e tretë të Superligës së Kosovës, duke fituar ndaj Ferizajt me rezultat 3:1.
Malisheva si skuadër më me përvojë në Superligë, kishte një dominim më të theksuar në ndeshje në mbajtjen dhe kontrollin e topit, por edhe skuadra e porsapromovuar, Ferizaj, rrezikonte portën.
Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 19-të të takimit, ku pas një penalltie të akorduar, goditi saktë sulmuesi Alban Shillova, duke çuar topin në krahun e kundërt të portierit, Leotrim Rexhepi, për rezultatin 1:0.
Për Ferizajn, rastin më të mirë në ndeshje e pati sulmuesi me përvojë të madhe në elitën e futbollit kosovar, Astrit Fazliu, goditja e të cilit u devijua jashtë për goditje nga këndi.
Malisheva dyfishoi epërsinë me anë të Drilon Hazrollajt në minutën e 72 të takimit, me lojtarin që sapo kishte hyrë në fushë.
Për golin e tretë të Malishevës u përkujdes Bleart Tolaj, ku vetëm pas pesë minutave nga goli i dytë, pra në minutën e 77, realizoi për 3:0.
Golin e vetëm të takimit për Ferizajn e realizoi mbrojtësi, Gentrit Halili në minutat e fundit të takimit, për të dhënë epilogun final, me rezultat përfundimtar 3:1.
Vlen të ceket që Ferizaj luajti me një lojtar më pak në këtë ndeshje që nga minuta e 48 e takimit, kur Elbasan Thaqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në ndeshje, kështu duke e lënë skuadrën e mangët për gati të gjithë pjesën e dytë të takimit, kur ishin në ndjekje të rezultatit.