“Gjithmonë kërcënues për mbrojtjen”: Zhegrova vlerësohet lart si më i miri në ndeshje nga gazeta franceze - NACIONALE

“Gjithmonë kërcënues për mbrojtjen”: Zhegrova vlerësohet lart si më i miri në ndeshje nga gazeta franceze

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edon Zhegrova zhvilloi një tjetër paraqitje të mirë për Lille, në fitoren që sot skuadra e tij arriti me rezultat 2:0 kundër Pau, duke u kualifikuar në 1/8 e finales të Kupës së Francës. Për mediet franceze ishte pikërisht futbollisti kosovar më i miri në fushë.

Pas lëndimit të rëndë që pësoi javën e kaluar Ounas, për Zhegrovën janë hapur mundësi akoma më të mëdha për ta dëshmuar veten te Lille.

Trajneri Fonseca inkuadroi 23-vjeçarin kosovar nga minuta e parë në ndeshjen e sotme, të vlefshme për Kupën e Francës kundër Pau, që Lille triumfoi me rezultat të pastër 2:0. Edhe në këtë sfidë, Zhegrova tregoi potencialin e tij teknik, duke lërë mbresa të mira te shtypi francez. Madje, falë shkathtësive të tij teknike erdhi edhe zhbllokimi i rezultatit në minutën e 37-të të takimit (VIDEO).

“Edon Zhegrova, zëvendësues i Ounas, shfrytëzoi shumë mirë minutat që iu dhanë për ta treguar veten. Gjatë gjithë ndeshjes, Zhegrova përbënte rrezik permanent për mbrojtjen e Pau. Ishte pikërisht ai më meritori për golin e parë të Lille. Pas një depërtimi të mirë, detyroi mbrojtësin Kouassi që të gabonte. Në rastin e fundit që pati i mungoi saktësia”, kështu e komentoi paraqitjen e tij gazeta e afërt me klubin, “Le 11 Lillois”.

Pra, përfaqësuesi kosovar ishte më i miri në ndeshje për gazetën franceze, duke u vlerësuar me notën 7. Gjatë pjesës së parë ai njashtu ia dhuroi një asist shumë të mirë bashkëlojtarit Cabella, por nga një penallti lëvizje, ndonëse i papenguar nga askush, ky i fundit e shpërdoroi këtë top që ia shërbeu sulmuesi prishtinas.

Gjatë javës edhe trajneri Fonseca u deklarua mjaft i kënaqur me përmirësimin që ka bërë ai. Sipas trajnerit të Lille, Zhegrova sot është më shumë lojtar ekipor sesa që ishte më herët.

“Sot, është një lojtar më bashkëpunues. Punon më shumë për skuadrën. Duhet akoma ta përmirësojë fazën mbrojtëse, por jam shumë i lumtur me mënyrën se si luan Edoni”, u shpreh Fonseca.

Lajme të ngjashme