Gjilanin e pret Niedercornin në Prishtinë, fitorja opsioni i vetëm për ‘Skifterët’ sot në ndeshjen e kthimit
Gjilani sot do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës ndaj nënkampionit të Luksemburgut, Progres Niedercorn. Ndeshja e parë në udhëtim të ‘Skifterët’ shkoi mirë, duke marrë parasysh se barazuan 2:2 si mysafirë.
‘Skifterët’ bën paraqitje të mirë në ndeshjen e parë duke u kthyer dy herë nga disavantazhi, pasi në dy raste ishin duke humbur, në fund për të barazuar.
Dy gola nga penalltia të shënuar nga Arbnor Ramadani, ishin shpëtimi për skuadrën e Klodian Duros dhe një lehtësim për ndeshjen e sotme që zhvillohet në tempullin Fadil Vokrri.

Gjilani ishte eliminuar në këtë fazë vitin e kaluar dhe sivjet duken të vendosur për të vazhduar një raund më lartë dhe për këtë janë të vetëdijshëm që fitorja është opsioni i vetëm që iu del përpara.
Ndeshja në shtëpi sot dhe paraqitja e dobët në mbrojtje e skuadrës së Luksemburgut në ndeshjen e parë, po shihen si përparësi për ‘Skifterët’ sot.
Gjilani është favorit i lehtë në këtë ndeshje ndaj Niedercornit sipas kompanive të basteve, me Sportskeeda.com që parashikon një fitore të skuadrës kosovare me rezultat 3:1 sot.
Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 20:00 në tempullin e shenjtë ‘Fadil Vokrri’ dhe fitorja është opsioni i vetëm për Gjilanin, që të kalojë tutje në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
